Sport Shqiptar

Zyrtare: Ismet Munishi e përforcon stafin e trajnerëve te FC Prishtina

photo by: @Shpend Ahmeti

Trajneri Ismet Munishi e mori drejtimin e FC Prishtinës në verën e vitit të kaluar, në kohë kur klubi më i madh në vend po përballej me probleme të mëdha financiare.

Skuadra nuk kishte arritur objektivat e edicionit të kaluar e borxhet e klubit ishin “trashur” maksimalisht.

Munishi erdhi me shumë vullnet te Prishtina duke bërë ndryshime të mëdha në ekip, duke transferuar futbollistë të rinj në moshë dhe lojtarë jo edhe të shtrenjte në futbollin tonë.

Prishtina me “timonierin” karizmatik e përfundoi stinorin vjeshtor në pozitën e tretë me 27 pikë, 11 më pak se Drita dhe Ballkani që i prijnë tabelës.

Stafin e trajnerëve te FC Prishtinës tashmë i është bashkuar edhe Agim Maliqi.

Lajmi konfirmohet nga vet Ismet Munishi për Shqip.com.

“Afër meje ka ardhur trajneri Agim Maliqi, me të cilin kam punuar për një kohë të gjatë. Kam besim të madh te ai dhe gjatë viteve kemi pasur respekt të ndërsjellët. E rëndësishme është besimi që kam të ky trajner sepse sikurse në ditët e mira dhe të këqija më ka qëndruar afër me këshillat e tij, me prezencën dhe gatishmërinë që gjithmonë ta jap maksimumin në punën që e bën rreth skuadrës. Kam besim shumë të madh te Agim Maliqi, në ditët e sotit këta njerëz janë shumë të rrallë”, deklaroi Ismet Munishi.

Lexo edhe:
Ismet Munishi rrëfehet për Shqip.com: Prishtinën do ta dërgojmë në nivelet që e meriton

Ekipi kryeqytetas edhe në këtë dimër po përpiqet që të ofrojë në ekip futbollistë të talentuar derisa synimet mbeten dalja në garat ndërkombëtare.

Skuadra “bardhekaltër” tashmë i ka nisur përgatitjet për stinorin pranveror ndërkohë që ka zyrtarizuar edhe disa transfere.

Të rinjtë si Jelen Blase (21), Agron Kolaj (21) Igball Jashari (17), Dion Gallapeni (18), Olt Pllana (18), Arlind Dobroshevci (16) Donart Llabjani (18) dhe Amar Demolli (16) janë lojtarët që kanë zbarkuar te Prishtina.

/Shqip.com