N'shënjestër Noterja Valbona Murtezi Bytyqi po hetohet për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”

Pas raportimit të Shqip.com gjykata ndalon tjetërsimin e lokalit prej 250 mijë euro, noterja nën hetime

Tjetërsimi i lokalit të Krenar Alidemës në lagjen Ulpiana të Prishtinës, në vlerë të 250 mijë euro, është parandaluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ky vendim vjen në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas raportimit të Shqip.com për rastin.

Shqip.com ka siguruar dokumentin në të cilin gjykata urdhëron Drejtorin e Kadastrit në Komunën e Prishtinës, që të mos bëjë bartjen e pronës nga pronari ekzistues Lulzim Qerkini tek Agim Spahiu, pasi ky i fundit pronën e kishte marrë nga Alidema përmes një aneks kontrate të kundërligjshme.

Si rrjedhojë, gjykata u ka ndaluar edhe shitjen apo transferimin e lokalit tek personat të tjerë, pasi ka dyshim të bazuar se është përvetësuar me kryerjen e veprës penale.

“I ndalohet të pandehurve të lartcekur dhe të gjithë personave të tjerë të cilët mund të jenë pronar, posedues shfrytëzues të pasurisë së paluajtshme pronës-lokalit, të lartpërmendur, shitja dhe transferimi i pronësisë i pasurisë- lokalit, të lartpërmendur, tek personat e tretë, për shkak se për të njëjtin dyshohet se është përvetësuar me kryerjen e veprës penale”, thuhet në vendim.

Sipas prokurorisë, ka dyshim të bazuar se noterja ka kryer veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Maloku, Spahiu dhe Qerkini në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Më 20 korrik të këtij viti, Shqip.com ka raportuar për rastin në fjalë, ku noterja Valbona Murtezi Bytyqi kishte vërtetuar tjetërsimin e pronës përmes një aneks kontrate joligjore.

Deri me 15 shkurt, lokali në vlerë të 500 mijë eurove, ishte bashkëpronësi e Alidemës me Bekim Malokun.

Por, me këtë datë pa dijeninë e Alidemës, pjesa e tij i kaloi një personi tjetër, Agim Spahiut.

Gjithë kjo, u bë përmes një aneks kontrate të përpiluar nga noterja Murtezi Bytyqi, të nënshkruar nga pronarët e vjetër, Lulzim dhe Aida Qerkini, Maloku si bashkëpronar, dhe Spahiu si pronar në vend të Alidemës.

Në aneks kontratën e përpiluar nga noterja Murtezi Bytyqi dhe nënshkruar nga palët e tjera, thuhet se palët deklarojnë se Alidema ishte pajtuar për shitjen.

Megjithatë, në asnjërën pjesën nuk ka deklaratë të tij e as nënshkrim.

Lexo edhe:
Noterja vërteton tjetërsimin e pronës në vlerë të 250 mijë euro

Vërejtje: Të gjithë personat e lartpërmendur si të dyshuar, konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Kosovës.