Sport Shqiptar

Ismet Munishi rrëfehet për Shqip.com: Prishtinën do ta dërgojmë në nivelet që e meriton

photo by: @Shpend Ahmeti

Trajneri Ismet Munishi e mori drejtimin e FC Prishtinës në verën e vitit të kaluar, në një kohë kur klubi më i madh në vend po përballej me probleme të mëdha financiare.

Skuadra nuk kishte arritur objektivat e edicionit të kaluar e borxhet e klubit ishin “trashur” maksimalisht.

Munishi erdhi me shumë vullnet te Prishtina duke bërë ndryshime të mëdha në ekip, duke transferuar futbollistë të rinj në moshë dhe lojtarë jo edhe të shtrenjtë të futbollit tonë.

Prishtina me “timonierin” karizmatik e përfundoi stinorin vjeshtor në pozitën e tretë me 27 pikë, 11 më pak se Drita dhe Ballkani që i prijnë tabelës.

Ekipi kryeqytetas edhe në këtë dimër po përpiqet që të ofrojë në ekip futbollistë të talentuar derisa synimet mbeten dalja në garat ndërkombëtare.

Skuadra “bardhekaltër” tashmë i ka nisur përgatitjet për stinorin pranveror ndërkohë që ka zyrtarizuar edhe disa transfere.

Të rinjtë si Jelen Blase (21), Agron Kolaj (21) Igball Jashari (17), Dion Gallapeni (18), Olt Pllana (18), Arlind Dobroshevci (16) Donart Llabjani (18) dhe Amar Demolli (16) janë lojtarët që kanë zbarkuar te Prishtina.

Ismet Munishi është rrëfyer në një intervistë për Shqip.com.

Shqip.com: Tash e një javë i keni filluar përgatitjet, si po ecën faza përgatitore në ditët e para?

Munishi: Faza përgatitore po shkon shumë mirë. Jemi akomoduar në fushën e stadiumit të Flamurtarit. Kemi punuar nga dy herë në ditë. Kushtet janë optimale për punë dhe e kemi shfrytëzuar rastin maksimalisht që t’i vrapojnë kilometrat e kërkuara, para udhëtimit në Antalia të Turqisë, ku më shumë do të fokusohemi te pjesa tekniko-taktike.

Shqip.com: A jeni përballur me ndonjë dëmtim apo mungesë për ndonjë arsye tjetër gjatë kësaj kohe?

Munishi: Nuk ka asnjë dëmtim, stërvitjet janë duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi shumë të kënaqur me kontingjentin e futbollistëve.

Shqip.com: E kemi parë ne stërvitje edhe trajnerin Agim Maliqi i ardhur nga ekipi i juniorëve, a i është bashkuar edhe ai stafit tuaj në ekipin parë?

Munishi: Afër meje ka ardhur trajneri Agim Maliqi, me të cilin kam punuar për një kohë të gjatë. Kam besim të madh te ai dhe gjatë viteve kemi pasur respekt të ndërsjellët. E rëndësishme është besimi që kam të ky trajner sepse sikurse në ditët e mira dhe të këqija më ka qëndruar afër me këshillat e tij, me prezencën dhe gatishmërinë që gjithmonë ta jap maksimumin në punën që e bën rreth skuadrës. Kam besim shumë të madh te Agim Maliqi, në ditët e sotit këta njerëz janë shumë të rrallë.

Shqip.com: Kur jemi te stërvitjet, Prishtina po stërvitet herë në Bërnicë, herë në fushën e Ramiz Sadikut e tashmë në atë të Flamurtarit. Çka po ndodh kështu, a është e vështirë për juve si trajner dhe futbollistët që t’i ndërroni kaq shpesh fushat?

Munishi: Është e vështirë ndërrimi i lokacioneve, mirëpo i gjithë stafi, e gjithë logjistika e klubit po sakrifikon duke bërë një punë të jashtëzakonshme. I falënderoj të gjithë për sakrificën dhe shpresoj se njëherë e përgjithmonë do ta zgjidhim problemin, ta rregullojmë infrastrukturën në mënyrë që stërvitjet t’i kryejmë në Bërnicë e ndeshjet t’i zhvillojmë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

photo by: @Shpend Ahmeti

Shqip.com: Deri më tash Prishtina është përforcuar vetëm me lojtarë të rinj në moshë, viteve të kaluara nuk është përdorur edhe aq shumë kjo praktikë. A ka ndryshuar klubi strategji apo do të transferoni edhe lojtarë me përvojë?

Munishi: Në Prishtinë nuk kanë ndryshuar politikat, gjithmonë mbeten objektivat e njëjta, vetëm se tashmë po u kushtojmë shumë kujdes të veçantë lojtarëve të rinj dhe talenteve dhe do të shohim që në një periudhë afatgjatë disa probleme t’i zgjidhim me punë dhe angazhim dhe jo transferime të bujshme. Normalisht se gjithmonë do të ketë prurje në ekip, duke mos i lënë anash asnjëherë talentet që janë në grupmoshat e Prishtinës, por edhe klubeve të tjera. Prej se kam ardhur në Prishtinë kam parë gatishmëri nga lojtarët e talentuar t’i bashkohen Prishtinës, pasi që njihem si trajner që punojë shumë me lojtarë të rinj, shto këtu edhe faktin se Prishtina është klubi më i madh në Kosovë.

Shqip.com: Sa janë përshtatur me grupin lojtarët e rinj që i janë bashkuar ekipit?

Munishi: Lojtarët e rinj po njoftohen me profesionalizimin. Do ta kenë kohën e duhur që edhe në Turqi të përshtaten edhe më tepër, duke u njoftuar se si punohet në një klub profesional. Tashmë i kanë përballuar shumë mirë kilometrat, të cilat i kanë bërë me vullnet. Tash do të përballen edhe me pjesën taktike atë të strategjisë, qasjes ndaj ndeshjes, filozofisë dhe parimeve të lojës. Të gjithë këto e bëjnë një futbollist të mirë.

Shqip.com: Së shpejti udhëtoni në Antalia të Turqisë, sa është e rëndësishme faza përgatitore në këtë vend?

Munishi: Faza përgatitore është shumë e rëndësishme në Antalia. Kushtet janë optimale si dhe ato klimatike. Përballemi me kundërshtarë dhe stile të ndryshme të lojës dhe ekipe që bëjnë pjesë në liga të ndryshme. Do të marrim shumë informata në mënyrë që t’i përmirësojmë gabimet për kampionat, të cilin e presim me shumë optimizëm.

photo by: @Shpend Ahmeti

Shqip.com: T’i rikthehemi një çështje tjetër. Jeni vazhdimisht me syrin e mediave ku shpeshherë është aluduar edhe për një shkarkim nga pozita e trajnerit te Prishtina. A ju pengojnë këto shkrime në punë dhe fokus te skuadra?

Munishi: Unë jam Ismet Munishi. Deri këtu kam arritur me punë, me sakrificë, me shumë mund. Nuk merrem me fjalë të kafeneve dhe portale të lodhura. Unë besoj se jam shumë transparent në raport me mediat dhe opinion publik. Normalisht se shkruajnë sepse klikohen gjërat. Në këtë aspekt jam shumë i qetë dhe shikoj vetëm përpara. Synimet janë që së bashku me bashkëpunëtorët që kam ta dërgojmë Prishtinën në nivele të kënaqshme. Kjo është e rëndësishme dhe jo çka shkruajnë e çka flitet. Ata që kanë punuar me mua e dinë se jam fokusuar vetëm në punë dhe në ndeshje. Tash u bënë disa vite edhe si lojtar edhe si trajner dhe këto shkrime nuk më bëjnë përshtypje e që ndoshta bëhen me ose pa qëllime të caktuara.

photo by: @Shpend Ahmeti

/Shqip.com