N'shënjestër ‘Baba i tenderëve’, brenda një jave u transferua dy herë në pozita të ndryshme udhëheqëse në MMPHI

MMPHI-ja me afat rekord për transferim të Nexhat Krasniqit në dy poste, asnjëra s’i pëlqen

Ilustrim

Nexhat Krasniqi, i njohur ndryshe si “Baba i tenderëve”, po vazhdon të transferohet në pozita të ndryshme udhëheqëse brenda Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Brenda një afati rekord prej 6 ditësh u vendos në dy pozita udhëheqëse.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Shqip.com, më 12 gusht të këtij viti, Krasniqi ishte emëruar udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun.

Vendimi për emërim të Nexhat Krasniqit në pozitën udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun
Vendimi për emërim të Nexhat Krasniqit në pozitën udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun

Kurse, më 22 gusht u transferua përkohësisht në pozitën e udhëheqësit të Divizionit të Inspektimit për Infrastrukturë Rrugore.

Vendimi për emërim të Nexhat Krasniqit në pozitën udhëheqës i Divizionit të Inspektimit për Infrastrukturë Rrugore
Vendimi për emërim të Nexhat Krasniqit në pozitën udhëheqës i Divizionit të Inspektimit për Infrastrukturë Rrugore

Me të njëjtat Krasniqi nuk u pajtua, andaj edhe parashtroi ankesa në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil të Kosovës.

Shqip.com ka tentuar të marrë përgjigje që nga 18 gushti nga Krasniqi, i cili kishte kërkuar t’i dërgohen pyetjet me shkrim, por më pas nuk është përgjigjur.

Ankesa e Krasniqit në lidhje me pozitën për shef të mediave në MMPHI, sipas Arben Mehmetit, anëtar i KPMSHCK-së, është ende në shqyrtim.

“Vendimi ende s’është marrë për ankesën e parë, është duke u trajtuar. Afati është prej 45 ditësh por nëse i vazhdohet afati kemi të drejtë edhe 10 ditë, pra gjithsej 55 ditë”, u shpreh Mehmeti.

Për lëvizjet e shpeshta në pozita të Krasniqit, zëvendësministri i MMPHI-së, Hysen Durmishit tha për Shqip.com se nuk është përgjegjësi e tij e as e ministrit, Liburn Aliu.

“Ju lutem kontaktoni zyrën për media ose zyrën e sekretarit sepse kjo nuk është detyrë as e ministrit e as zëvendësministrit”, u shpreh ai.

E kur u pyet se me kërkesë të kujt po bëhen transferimet brenda MMPHI-së, Durmishi tha se “me kërkesë të askujt”.

“Nuk mund të përzihemi në punë të shërbyesve civil”, tha ai.

Por, a është pajtuar ministri Aliu me lëvizjet e shpeshta të pozitave të Krasniqit?

Durmishi u tregua hermetik për këtë çështje dhe u arsyetua se “janë në objekte të ndara”.

Çka i parapriu situatës?

Por, të gjithë kësaj situate i parapriu vendimi i datës 29 korrik 2022, me të cilin Ndriçim Mustafa u vendos në pozitën e tij si udhëheqës i Divizionit të Prokurimit.

Për këtë, Krasniqi u ankua se i janë shkelur dispozitat ligjore me zëvendësimin e tij nga udhëheqës i Divizionit të Prokurimit, KPMSHCK-ja ia kishte refuzuar ankesën si te pabazuar.

“..meqenëse Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastukturës ende nuk e ka të përfunduar procesin e ristrukturimit pas bashkimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësiror dhe Ministrisë së Infrastukturës, atëherë sipas vlerësimit të kolegjit vendimi i kundërshtuar me ankesa është nxjerrë në funksion të koordinimit të aktiviteteve të Divizionit të Prokurimit pranë kësaj ministrie dhe si i tillë ky vendim ka efekt juridik të përkohëshëm gjegjësisht deri në miratimin e Rregullorës për Organizim të Bredshëm dhe Sistematizim të Vendeve të Punës, respektivisht ky vendim nuk ka të bëjë me procesin e sistemitmit të stafit në rast të riorganizimit..”, thuhet në vendimin e KPMSHCK-së.

Vendimi i KPMSHC-së

Shkarkimin e Krasniqit, ministria e kishte arsyetuar duke thënë se kjo ka ndodhur si rezultat i bashkimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve të dy Divizioneve të Prokurimit, deri në hyrjen në fuqi të rregullores së re për organizimin e brendshëm të MMPHI-së.

Në vitin 2015-të, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Krasniqit dhe disa personave të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare marrje e dhënie ryshfeti dhe vepra të tjera, lidhur me disa tenderë që lidheshin me ish-Ministrinë e Transportit dhe Post Telekomunikacionit (MTPT).

Për këtë aktakuzë, Krasniqi ishte shpallur i pafajshëm më 2017-të./Shqip.com