Shqip do të vazhdojë të zhvillohet ndërsa do të përpiqet të ndërtojë një portfolio të rrjeteve moderne editoriale dhe të krijojë partnerë në mediume të ndryshme, duke shkuar kështu përpara në të ardhmen e gazetarisë së shkruar dhe asaj vizuale. Sidoqoftë, krahas gazetarisë moderne, përkushtimi ynë ndaj vlerave kyçe të gazetarisë dhe pasioni për këtë profesion nuk do të ndryshojë kurrë.

Ne besojmë në të punuarit me njerëz të talentuar, në gjykimin profesional të stafit tonë dhe në rëndësinë e jashtëzakonshme të të shërbyerit pa kompleks në interes të audiencave tona. Përmes udhëzuesve të AlbMedia ne përpiqemi t’iu japim ekipeve tona këshilla të qarta rreth asaj se çfarë të shmangin gjatë punës dhe se çfarë të presin nga puna.

Njëkohësisht e kuptojmë pamundësinë e tkurrjes në një listë të thjeshtë rregullash dhe e inkurajojmë diskutimin dhe dialogun në mes kolegëve dhe mbikëqyrësve për situata konkretë në mënyrë që ta adresojmë çdo dilemë etike që na shfaqet gjatë rrugës.

Përderisa nevojat e deskut tonë të lajmeve dhe audiencat ndryshojnë, edhe udhëzuesit tanë të etikës do të adaptohen në atë mënyrë që puna e Shqip.com ta meritojë gjithmonë besimin e audiencave tona.
AlbMedia në linjën e saj editoriale të Shqip.com, ka angazhuar një ekip të dedikuar për hulumtim të çështjeve dhe dukurive që shqetësojnë opinionin publik shqiptar, duke aplikuar metoda investigative konform etikes së gazetarisë së pavarur dhe të bazuar në fakte.

Konflikti i interesit dhe e drejta në aktivizëm qytetar

Desku informativ i Shqip.com ka pavarësi të plotë ediotoriale dhe stafi ynë editorial dhe kontribuuesit e marrin tejet seriozisht punën e tyre. Çdo pjesëtar i ekipit editorial apo kontribuues lirohet nga detyra nëse ka ndonjë konflikt interesi në storien me të cilën po merret. Kjo mund të përfshijë ndonjë lidhje personale ose familjare, investim personal financiar apo ndonjë aktivitet relevant politik. Stafi ynë gjithashtu duhet të përmbahet nga të qenit aktiv në çështje e kauza që e komprometojnë punën e tyre si gazetarë.

Shqip.com bën çdo përpjekje që në momentin e publikimit përmbajtja të jetë tërësisht e saktë. Nëse korrigjimi kërkohet, ne jemi transparentë dhe e përditësojmë çdo raportim me informacione të reja. Gjithashtu, ne bëjmë korrigjime të ndonjë gabimi eventual gramatikor apo ndonjë gabim që mund të shkaktojë keqkuptim të lajmit tek audiencat tona.

Në raste të rralla, nëse ka nevojë, ne e largojmë një përmbajtje të caktuar tërësisht nga uebsajti jonë, nga faqet në rrjete sociale apo edhe platforma të tjera për arsye ligjore.

Rrjetet sociale

Shqip.com e angazhon ekipin editorial bazuar në aftësitë e tyre prej ekspertësh dhe e vlerëson aftësinë e tyre për të ndërtuar komunitete me energji pozitive. Ne kërkojmë nga stafi që të jenë tejet të kujdesshëm me mënyrën se si prezantohen në rrjete sociale. Sjellja në rrjete sociale është reflektim i dyanshëm: i vetes së tyre në aspektin personal e edhe në atë profesional. Ne presim nga stafi ynë që të veprojë me të njëjtin integritet profesional gazetaresk edhe në përmbajtjen që shpërndahet në rrjetet sociale.

Burimet tona

Shqip.com merr lajme dhe përmbajtje mediatike nga një mori burimesh. Disa nga burimet tona nuk duan që të identifikohen me emra dhe ne ua garantojmë anonimitetin kur e dimë saktësisht se burimet tona janë kredibile dhe të besueshme, përndryshe historia e tyre nuk tregohet. Ne bëjmë përpjekjet tona deri në maksimum që ta konfirmojmë saktësinë e informatave të dhëna nga burimet anonime dhe assesi nuk publikojmë asnjë informacion të cilin nuk e kemi konfirmuar plotësisht.