Në gusht të këtij viti, kompania Limak që menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kishte filluar punimet në zgjerimin e Taxiway.
Taxiway është rrugë paralele me pistën, që u mundëson aeroplanëve kalimin nga vend parkimi tek pista për fluturim dhe anasjelltas.
Aktualisht kjo rrugë është e gjerë 23 metra dhe bashkë me krahët nga një metër në të dyja anët, 25 metra në total.
Kjo gjerësi i mundëson aeroportit të jetë i kualifikuar në kodin C, për aterrimin e sigurt të aeroplanëve të këtij kodi.
Por, me tu certifikuar aeroporti në kodin E, pra një nivel më të lartë, atëherë sipas kontratës së partneritetit publiko privat, krahët shtesë të Taxiway duhet të zgjerohen nga një metër sa janë aktualisht në 10.5 metra në të dy anët.
Megjithatë, kjo nuk ndodhi.
Me propozimin e Limak të cilin e ka siguruar Shqip.com, rezulton se krahët do të zgjerohet nga tre metra më pak në të dyja anët, pra në 7.5 metra.
Gjithë kjo në kundërshtim me kontratën e nënshkruar me 12 gusht 2010 në mes të Qeverisë së Kosovëss dhe Limak Kosovo International Airport .
Për këtë, Shqip.com ka provuar të marrë një përgjigje nga kjo kompani, por të njëjtit nuk i janë përgjigjur shkresave përmes postës elektronike.
Madje, gjithë kjo rezulton të jetë bërë pa miratim të shtetit, i cili është bashkëpronar dhe njëkohësisht monitorues i zbatimit të kontratës.
Drejtori i Departamentit të Partneritetit Publiko Privat ne kuadër të Ministrisë së Financave, Arton Ahmeti, që është edhe përgjegjës për monitorimin e kontratave me këtë partneritet, ka mohuar të ketë pasur kontakte zyrtare me Limak.
Për këtë, ai përgjegjësinë e hedh tek të tjerët.
“Lidhet edhe Ministrin e Infrastrukturës edhe zgjerimin e pistës apo që kontrata quhet zgjerimi i pistës është financuar nga Ministria e Infrastrukturës, prokuru dhe udhëheq, dhe taxway lidhet me atë projekt, i cili më pastaj certifikohet prej AAC-së e më pastaj bëhet edhe çështje e jona”, deklaron Ahmeti.
Por, drejtori i Departamentit të Aviacioni Civil, Avdi Kamerolli, tregon se projekti i pistës ka përfunduar dhe Taxiway nuk është pjesë e saj.
“S’kemi na me taxiway, me zgjatjen e pistës na e kemi udhëheq projektin, këto të fundit, por taxiëay është pjesë e kontratës së koncesionit ka të bëjë me kontratën, nuk është përgjegjësi e jona”.
E kur i thuhet se përgjegjësinë për ketë e ka larguar kjo ministri, Ahmeti, tash thotë se i takon Autoritetit të Aviacionit Civil të bëjë aprovimin.
“Çështjen e aerodromeve qysh ta kom shpjegu në email nuk është çështje e PPS-së direkt, çështja e aerodromit që bëhet për pistë dhe anekset e saj është çështje e AAC-së, e cila e sjell tek na, tek ata partneri privat, pastaj ata na njoftojnë neve se janë certifikuar, për neve munden me vazhduar punën”, thotë ai.
Por, drejtori i përgjithshëm i AAC-së, Bujar Ejupi thotë se për ta zgjerimi në 7.5 metra është i pranueshëm në aspektin e përmbushjes së kritereve.
Megjithatë, shton se atyre nuk u takon përgjegjësia që ta mbikëqyrin kontratën, nëse propozimi i Limak është në përputhje me atë që është pajtuar me shtetin në kontratë.
“Kur kemi pranuar ne aplikacionin nga operatori, në aplikacion ka shkruar që kjo është kërkesë në bazë të marrëveshjes se PPP-së. Ne ju kemi drejtuar sa për informacion komunitetit PPP, për t’i informuar ata që aeroporti është duke zhvilluar një projekt i cili i referohet marrëveshjes PPP dhe që ne nuk kemi përgjegjësi mbikëqyrëse të projektit sa i parket përmbushjes së kushteve me PPP”, sqaron Ejupi.
Si rezultat, del se Partneriteti Publiko Privat nuk është fare në dijeni e as nuk po e trajton projektin.
Kjo po ndodh përkundër se ishin sinjalizuar.
Por, problemi nuk përfundon këtu.
Punimet e parapa në kontratën e partneritetit publiko privat mes Qeverisë dhe kompanisë Limak, parashihet të bëhen me mbikëqyrës.
Madje, mbikëqyrësi është paraparë të jetë i pavarur dhe angazhuar nga PPP-ja.
Megjithatë, punimet po kryhet pa të.
Edhe kjo, Ahmeti mohon të jetë përgjegjësi e tyre.
“Kontratën e monitoron PPP-ja në termat e saj ligjor dhe ekonomik dhe ingjixhinierik AAC-ja, po e quaj të kushtëzuar inxhinierik që lidhen me aviacionin dhe me hapësirën ajrore ASHNA. Jemi tre akter që funksionojmë aty se di pse insiston bash të çështja inxhinierike tek na, them për neve është në rregull nëse ka thënë AAC-ja në rregull, s’është në rregull nëse ka thënë AAC-ja që s’është në rregull.”
Por, sërish mohohet nga institucionet e tjera.
“Cilësinë e projekteve nga ana inxhinierike prap nuk jemi mbikëqyrës, ne e bëjmë mbikëqyrjen vetëm nga pjesa e sigurisë së fluturimeve, por mbikëqyrja e projektit siç kërkohet me rregullativ ne nuk jemi mbikëqyrës të projektit”, deklaron Ejupi.
“Kontrata e koncesionit e parash ekspertin e pavarur”, shton Kamerolli.
Derisa Ministria e Financave rri, Limak tregon fuqinë e saj mbi shtetin.
Projekti në kundërshtim me kontratën, e pa mbikëqyrje po zhvillohet nga ta.