N'shënjestër

Blerja e tri çantave, shkakton përplasje në Institucionin e Avokatit të Popullit

Në Institucionin e Avokatit të Popullit, ka një kohë që po ndodhin përplasjet me disa zyrtarëve.

Mollë sherri janë bërë disa çanta, fati i të cilave nuk dihet ende.

Ato u blenë në vitin 2016 për nevoja të avokatit të atëhershëm, Hilmi Jashari.

Në disa e-maile që i ka siguruar Shqip.com janë të përfshirë Sekretari i Përgjithshëm, Jashar Kastrati, Zyrtari i Pranimit, Shpetim Reçica dhe Mentor Myftarit. Ky i fundit për kohën e cekur punonte si vozitës i Avokatit të Popullit.

Në e-mailat që mbajnë datat 23, 24 dhe 26 korrik të vitit të kaluar, Sekretari kërkon detaje për fatin e çantave, ndërsa Reçica dhe Myftari, mohojnë të kenë dijeni se ku kanë mbetur ato.

Në përgjigjen rreth kërkesës për raportim të bërë nga sekretari Kastrati, Mentor Myftari ka thënë se çantat janë pranuar nga Shpetim Reçica, derisa përmend presionet që po i bëhen nga sekretari i IAP-së.

“I nderuar Sekretar, lidhur me kërkesën tuaj për raportim, ju rikujtoj se në atë kohë kam qenë në pozitën e vozitësit të Avokatit të Popullit. Për pjesën e pranimit të çantave, është bërë nga z. Shpetim Reçica, të cilat i ka dorëzuar në Kabinet. Ndërsa, përkundër presionit që në vazhdimësi po më bëhet nga ana juaj, ju siguroj se mbetem i përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të mia”, thuhet në letrën elektronike dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të këtij institucioni.

Mirëpo, këto pretendime janë kundërshtuar në tërësi nga Shpetim Reçica, Zyrtar i Pranimit.

Në përgjigjen e dërguar Sekretarit, ai ka thënë se është i gatshëm të përgjigjet ndaj cilësdo instance për këtë çështje.

“Po ju betohem se unë kurrë në jetën time as nuk i kam pranuar fizikisht as që i kam parë ato çanta dhe qëndroj pranë deklaratave të mia dhënë në takimin e mbajtur më datë 22.07.2021, i cili është mbajtur me procesverbal dhe qëndroj pranë deklarimit në të gjitha shkresat. Kushdo që mund të ma vërtetoj nga kabineti, nga O.E apo kushdo tjetër se unë i kam pranu çantat nga O.E dhe i kam dorëzu në kabinet, unë i barti të gjitha përgjegjësitë. Jam i gatshëm të dëshmoj para çdo instance lidhur me këtë furnizim”, thuhet në deklarimin e Reçicës.

Megjithatë, në e-mailin e dërguar dy të lartpërmendurve dhe që mban datën 26 korrik 2021, sekretari Kastrati ka mohuar të ketë bërë presion ndaj Myftarit.

Ai ka thënë se tri çantat e blera në atë kohë, nuk ishin pranuar në depon e institucionit.

“Nëse ju z. Myftari nuk i keni pranuar nga furnitori sepse dikush nga kabineti i ka pranuar direkt këto tri çanta-valixhe sepse s’ka fletë ngarkim për këto tri çanta në muajin nëntor 2016, dhe ky furnizim është realizuar për kabinetin dhe çdo kërkesë e furnizim për kabinetin nuk ka dështuar asnjëherë gjatë vitit 2016 e tutje, dhe sipas dokumentacionit, kurse sipas kontratës së njësisë kërkuese, ky furnizim është realizuar/kontraktuar nga ana e Zyrës së Prokurimit”, thuhet në një pjesë të letrës së sekretarit.

Në këtë letër, Sekretari madje përmend disa detaje për rolin që kishte në atë kohë vozitësi i Avokatit të Popullit.

“Roli juaj’ për kabinetin dhe nga kabineti, ka qenë i ‘ndarë e pa letra’ nga viti/korriku i 2015-s deri kah shtatori i vitit 2020”, thuhet tutje në këtë letër elektronike.

Institucioni i Avokatit të Popullit përgjigjet ndryshe nga Sekretari

Në Institucionin e Avokatit të Popullit kanë thënë për Shqip.com se çanta ishin blerë për takime e udhëtime zyrtare të kabinetit të udhëheqësit të këtij institucioni në vitin 2016.

“Këto çanta janë blerë me çmimin për copë/njësi prej 116.00 euro, kurse sasia e tyre ka qenë në tri copë. Këto çanta/valixhe janë materiale shpenzuese dhe janë dhënë/marr në përdorim nga ish-stafi i kabinetit të Avokatit të Popullit”.

Ndryshe nga kërkesat e drejtuara nga sekretari tek ish-vozitësi i Avokatit të Popullit për periudhën e lartcekur, zyrtarë të këtij institucioni kanë thënë për Shqip.com se për këto çanta nuk mbahet evidencë dhe inventarizim i rregullt vjetor për këto materiale shpenzuese nga ana e administratës lidhur me përdorimin e tyre përgjatë këtyre gjashtë viteve kalendarike, që nga blerja e tyre në vitin 2016 dhe deri më tash në vitin 2022.