N'shënjestër

Inspektimi zhvesh dyqanin e arit

Mjafton një inspektim që një biznes i arit, të zhveshët plotësisht për shkak të parregullsive.
Për ta argumentuar këtë gjendje, ekipi i n’ Shënjestër ka marrë pjesë në një aksion të zhvilluar nga Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në qytetin e Prizrenit.

Pronari i subjektit afarist të përzgjedhur deklaron para autoriteteve se ka mbi 12 kg sasi të metaleve të çmuara, pjesa më e madhe ari.


Prej tyre, mbi 11 kg thotë të jenë të kontrolluar në Agjencinë e Metrologjisë dhe për rrjedhojë edhe vulosur.

Megjithatë, kontrolla e argumenton të kundërtën.
Pas disa orësh kontroll unazë për unazë, rreth për rreth e qafore për qafore, lokalit nuk i mbesin as 1 kg sasi e arit.

Kjo kuptohet pasi produktet nuk përmbajnë hartën e shtetit, që është vulë që tregon se produkti e ka cilësinë e kërkuar.

Si përfundim, gjithë sasia e arit i vendoset në thasë.
Inspektori i Tregut, Afrim Fana, tregon se mos dërgimi i arit për vulosje rrit dyshimet se nuk e ka shkallën e pastërtisë së kërkuar.

“Kjo nënkupton se të gjithë ne po padyshim dhe konsumatori, që nëse sasia e arit vihet në treg dhe nuk është i vulosur apo ekzaminuar nga laboratori qendror i Ministrisë së Tregtisë, ka dyshime dhe mundësi që ky ari të jetë jo i cilësisë së paraparë me udhëzim administrativ dhe shkalla e pastërtisë mund të jetë më e ulët”, tregon Fana.

Meqenëse bëhet fjalë për rreth 12 kg sasi të metaleve të çmuara, pjesa dërrmuese ari, atëherë vlera arrin rreth gjysmë milioni euro.

Për këtë, ligji parasheh dërgimin e rastit në gjykatë.
“Bazuar në të gjeturat, lënda do t’i dërgohet gjykatës kompetente në Prizren për mosekzaminim dhe mosvendosjen e çmimit në produkte”, shton Fana.

Për këtë sjellje të biznesit, Shqip.com ka kërkuar përgjigje dhe nga pronari i biznesit, por nuk ka dashur të prononcohet.

Tutje, peshorja nuk ishte kaliburuar nga marsi i vitit 2021, duke rritur kështu mundësinë e pasaktësisë së peshës.

“Në këtë rast peshorja ishte në vend të dukshëm për konsumatorë por nuk ishte e verifikuar. Për këtë rast inspektori i metrologjisë bëri proces dhe nga ky inspektim ky do te gjobitet edhe për peshoren që nuk është e verifikuar”, sqaron inspektori i Tregut.

Derisa sasia e metaleve të çmuara të deklaruar në stok doli të jetë në përputhje me gjendjen aktuale.
“Gjate kontrollit është bërë verifikimi i stoqeve të datës se sotme me gjendjen reale që ka qenë i ekspozuar në treg.

Pas verifikimit Dogana e Kosovës nuk ka gjetur ndonjë shkelje apo mall që nuk ka kaluar nëper procedura doganore”, tregon Albert Keqmezi, doganier.

Për ta rimbushur lokalin me ari, ai do të detyrohet që thasët e mbushur t’i dërgojë për kontroll në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë.

Nëse sasia përmbush shkallën e pastërtisë atëherë do t’i vuloset dhe kthehet mbrapsht.
Ndërsa, nëse cilësia nuk është në përputhje biznesi, obligohet që ta përpunoj deri në arritjen e shkallës së pastërtisë.

Rritja e inspektimeve reflekton në kontrollën e cilësisë dhe importit
Ari vlerësohet në mesin e produkteve lehtë të kontrabandueshme.
Krejt kjo pasi mund të mbahet në trup gjatë kalimit kufitar.
Për këtë, zgjidhja e vetme del të jetë kontrolla e brendshme.

Këtë e tregon reflektimi i inspektimeve të Inspektoratit të Tregut në ndryshimi e të dhënave të importit në Doganë të Kosovës dhe në fund kontrollës së cilësisë në Agjenci të Metrologjisë.
Të dhënat e këtij inspektorati tregojnë se në vitet 2018, 2019 dhe 2020 nuk ishin zhvilluar fare inspektime.

Për çka, importi në ato vite ishte vetëm deri në 50 kg.
Në anën tjetër, të regjistruara ishin rreth 500 artari.

“Duke qenë se metalet e çmuara janë produkte hyjnë në kategorinë e produkteve lehtë të kontrabandueshme për shkak se kanë sasi të vogla derisa bartin vlera të mëdha dogana e ka vlerësuar këtë produkt si produkt lehtë të kontrabandueshëm. Mund të themi që kemi pasur disa raste kur kemi zënë, në vitin 2021 kemi pas disa raste kur kemi njërin rast me 3 kg, në rastin e dytë rreth 5 kg gjatë tentimit të kontrabandimit”, tregon zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

Numri i ulët i inspektimeve nuk vjen assesi nga gjendja e mire.
Lidhur me këtë, Shqip.com ka provuar të marrë një përgjigje nga i pari i atëhershëm Inspektortit, Lulzim Syla, por i njëjti nuk ka pranuar të deklarohet.
Situata filloi të ndryshoj në dy vitet pasuese.

Kontrolla u rrit dukshëm, e për këtë dukshëm edhe sasia e metaleve të importuara legalisht dhe kontrolluara nga bizneset.

Në vitin e kaluar, nga 16 inspektime, 9 prej tyre kishin përfunduar në gjykatë dhe 6 kishin marrë gjoba.
Kjo kishte bërë në rritjen e importit në 510 kg.

Ndërsa, vetëm gjatë periudhës janar- tetor 2022 janë bllokuar 176 kg ari, nga 38 inspektime.
Prej tyre 34 lëndë janë dorëzuar në gjykatë, derisa tri të tjera janë gjobitur.
Gjatë këtij viti importi shënon rënie në periudhën janar- shtator në 121 kg.

Kryinspekorja aktuale e Tregut, Lebibe Haliti thotë se pikërisht duke u bazuar në numrin e madh të parregullsive kanë rritur numrin e inspektimeve në vitin e fundit.

“Në 2022 janë Prishtina është qyteti që ka më shumë frekuentim dhe biznese, po edhe qytetet të tjera pa dallim i Pejës, Prizrenit, Gjakovës janë sidomos qytetet e mëdha nuk mund të dallojë, apo të them për një qytet apo tjetër për shkak se punimet nga metalet e çmuara ka pasur shumë të vendosur në treg të pavulosur”.

Përveç në import, të dhënat ndryshojnë edhe në kontrollimin e cilësisë.
Ndryshe nga viti 2020, kur ishin kontrolluar vetëm 58 kg ari dhe argjend, në vitin 2021 sasia kishte shkuar ne 415 kg, e vetëm në janar-shtator 2022, kjo sasi ka arritur në afër 600 kg, saktësisht 584 kg ari dhe argjend.

Shqip.com ka kërkuar të dhëna nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës lidhur me sasinë e arit që ka dalë jo konformë stantardeve gjatë analizave të laboratorit, por nuk kanë dhënë përgjigje.

“Përgjigja ime është sasia që është kontrolluar dhe i ka plotësuar kërkesat teknike, ka sasi që është kthyer por duhet d.m.th të hulumtohet më vonë sepse nuk e kam përgjigjen për momentin”, thotë Agron Shurdhani, drejtor i Metrologjisë.

Megjithëse i është dhënë mundësia e përgjigjes përmes e-mailit, Shurdhani një javë pas ka përcjell përgjigjen e njëjtë.

Derisa, kjo agjenci nuk ka ofruar qasje në dokumentet publike për t’i parë rezultatet e analizave.

“Ka një sasi e vogël, më e vogël që është kthyer sesa që i ka plotësuar kërkesat. Përqindja është realative, se s’kemi bërë hulumtim, shumica i plotëson kërkesat”, ka shtuar ai.

Si ta kuptoni nëse ari që blini e ka shkallën e pastërtisë që u deklarojnë?
Kur i drejtohesh artarëve për t’i pyetur rreth cilësisë, ata nuk të tregojnë saktë.
Derisa harta e Kosovës është vula që nënkupton se produkti i është nënshtruar kontrollës, ata të thonë se këtë e konfirmon numri 585, të cilën e vendos vetë prodhuesi.

“14 karatë, 585. Po kjo është 14 karat e ke edhe garancionin”, thotë një shitëse kur Shqip.com e ka pyetur rreth vulosjes së arit.

Derisa, të njëjtit nuk u prezantojnë as peshën, duke ua kumtuar shkurt.
Megjithatë, ajo duhet tu prezantohet klientëve dhe peshorja të jetë e kalibuar.
“53 euro të kushton”, ka thënë një tjetër shitës pa treguar peshën e saktë të arit.

Por, vetëm anën e artë të medaljes agjencia e tregon edhe kur pyetet për kalibrimin e peshoreve.
Tregojnë se në tre vjetët e fundit janë kalibruar afër 300 peshore të artarëve, por nuk jep të dhëna mbi ato që janë zënë të pakalibuara, duke u shprehur të bindur se kjo parregullësi nuk ndodh, megjithëse inspektimi tregon të kundërtën.

“Një prej kushteve dhe vlerësimi i subjektit për argjendaritë është kalibrimi i peshores, të gjitha kërkesat që vijnë nga subjektet ekonomike deri tani janë të kalibruara, me plotë përgjegjësi mund të them që ato punojnë dhe veprojnë me peshore të kalibruara”, ka thënë Shurdhani.

Shteti ka legjislacion adekuat dhe me rregullat e BE-së.
Por, sfidë çdo herë mbetet zbatimi i tij.
Kjo herë për shkak të mungesës së vullnetit e herë të kapaciteteve institucionale.
Krejt në fund ata që pësojnë janë veç qytetarët. /Shqip.com