Sport Shqiptar

Zyrtare: Futbollisti nga Kosova i Kombëtares së Shqipërisë i jep fund karrierës si futbollist

Tashmë është zyrtare, Shkëlzen Gashi ka vendosur t’i jap fund futbollit të luajtur, duke “varur këpucët në gozhdë”. Lajmi u konfirmua nga vetë 34-vjeçari nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në “Instagram”. 

“Ka ardhur koha t’ju them se kapitulli i futbollit po mbyllet për mua dhe do t’i jap fund karrierës time aktive pas këtij sezoni. Dëshiroj të falënderoj klubet dhe bashkëlojtarët e mi për shumë momente të paharrueshme dhe suksese të mëdha. Një falënderim shumë i madh shkon për familjen dhe miqtë e mi për mbështetjen e madhe. Unë jam duke pritur shumë për të ardhmen dhe gjithçka që vjen”, shkroi Gashi në Instagram.

Kujtojmë që Gashi u aktivizua 17 ndeshje me fanellë ne Kombëtares shqiptare, ku shënoi një gol, atë ndaj Armenisë në “Elbasan Arena”.

Momenti i artë i sulmuesit në karrierën e tij ka qenë kur u shpall golashënuesi më i mirë i edicionit të vitit 2014 dhe 2015 në Superligën e Zvicrës.

Në vitin 2013-të, Gashi e fitoi Kupën e Zvicrës me Grashopperin, kurse në vitin 2015 u bë kampion në Superligën e Zvicrës me Baselin.

Sulmuesi ishte pjesë e Shqipërisë në Europianin e vitit 2016-të në Francë dhe luajti vetëm tetë minuta në duelin kundër Zvicrës.

/Shqip.com