Sport Shqiptar

Kosova me pesë xhudistë në Kampionatin Evropian

Ekipi kosovar i xhudos nga nesër (25 prill) deri më 27 prill do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Xhudos për Senior.

Evropiani i Xhudos për Senior do të zhvillohet në Zagreb të Kroacisë, ku pjesëmarrës do të jenë 47 shtete me 427 garues, nga të cilët 240 janë meshkuj e 187 femra.

Kosovën në këtë Evropian do ta përfaqësojnë xhudistët e njohur si Distria Krasniqi, Flaka Loxha, Akil Gjakova, Dardan Cena dhe Loriana Kuka.

Distria dhe Flaka ndeshen ditën e parë (nesër), kurse ditën e dytë ndeshet Akili dhe Dardani, ndërsa Loriana ndeshet në ditën e tretë.

Ekipi kosovar është nën udhëheqjen e trajnerit dhe selektorit Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi.

Xhudistët që e përfaqësojnë Kosovën në Evropianin e Xhudos në Kroaci:

Distria Krasniqi (-52 kg)

Flaka Loxha (-57 kg)

Akil Gjakova (-73 kg)

Dardan Cena (-73 kg)

Loriana Kuka (-78 kg)

/Shqip.com