Sport Shqiptar

Hap i madh drejt barazisë gjinore dhe përfshirjes në sport në Kosovë dhe Shqipëri

Sot në Prishtinë u lansua Projekti “Gruaja Udhëheqëse në Sport për Promovimin e Aktivitetit Fizik të Pavarur nga Gjinia (GEIN)” i cili ka për qëllim të avancojë barazinë gjinore në sport dhe në parasport.

Ky projekt ndërkombëtar aspiron të thyejë barrierat gjinore dhe të përfshijë në mënyrë të barabartë sportistët nga të dy gjinitë, me një fokus të veçantë në fuqizimin e grave dhe personave me aftësi të kufizuara.

Iniciativa synon të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit, duke i përgatitur ata për sukses dhe udhëheqje në arena ndërkombëtare.

Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, në fjalën e saj në hapje të konferencës, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për përfshirjen e grave dhe përsonave me aftësi të kufizuara në sport. \

“Në Shqipëri, Kosovë dhe në gjithë rajonin, ne përballen me sfida të shumta në përfshirjen e grave dhe parasportistëve. Bashkëpunimi dhe angazhimi ynë janë thelbësor për të kapërcyer këto sfida dhe për të siguruar që çdo person, pavarësisht gjinisë ose aftësive të kufizuara, të ketë mundësinë të shkëlqejë dhe të udhëheqë”.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, mirëpriti angazhimin e vazhdueshëm dhe theksoi se projekti është një “fener shprese” për bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Aftësimi dhe arsimimi janë esenciale për të sfiduar stereotipet dhe për të ndërtuar një të ardhme ku barazia gjinore është jo vetëm një ideal, por një realitet”.

Dr. Agron Kasa, Rektori i Universitetit të Sporteve në Tiranë, theksoi se sporti është një mjet jetik për ndryshime pozitive.

“Përmes mbështetjes së komunitetit evropian, ne po punojmë për të ndryshuar qasjet dhe për të promovuar liderët e ardhshëm, duke u përqendruar veçanërisht në rritjen e numrit të grave në pozita drejtuese”.

Projekti GEIN është një partneritet ndërkombëtar midis Universitetit të Sporteve në Tiranë, Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Finlandës Juglindore, Universitetit Katolik të Leuven në Belgjikë dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ky projekt mbështetet financiarisht nga programet Erasmus+ të Bashkimit Evropian.

Qëllimi i tij është të rrisë kapacitetet në fushën e sportit në Shqipëri dhe Kosovë, për të promovuar barazinë gjinore përmes aktiviteteve edukative dhe mentorimit.

/Shqip.com