Sport Ndërkombëtar

Suarez kujton MSN-në e famshme

Në kohën kur sulmi i Barcelonës përbëhej nga tre yje, Lionel Messi, Neymar dhe Luis Suarez, shumëkush mendoi se do të jetë “projekt” i dështuar, pasi secili prej tyre do të tregohej egoist dhe nuk do të ketë bashkëpunim të mirëfilltë.

Mirëpo, koha i demantoi ata që mendonin kështu dhe për aq kohë sa luajtën së bashku, ishin sulmi më i frikshëm në futbollin evropian e botëror.

Lidhur me atë periudhë, së fundi, në një intervistë për “Marca”, Luis Suarez kujtoi treshen legjendare të MSN.

“Messi dhe Neymar më ndihmuan të fitoja ‘Këpucën e Artë’. Leo më dha leje të ekzekutoja penalltinë në mënyrë që të fitoja çmimin, ai dhe Neymar më kërkonin gjithmonë në fushë. E vlerësoj shumë, asnjëri prej nesh nuk ishte arrogant, të tre ishim të lumtur”, ka thënë Suarez.

Messi, Suarez dhe Neymar kanë shënuar 364 gola dhe 171 asistime për Barçën në tre sezonet e tyre në klub.

/Shqip.com