Sport Shqiptar

Stadiumi i Gjilanit sikur “Ura e Fshejt”

Një projekt që nuk përfundon “kurrë“. Ashtu siç ishte “Ura e Fshejt”, legjenda për të cilën është folur e shkruar aq shumë.

Njëjtë edhe stadiumi në Gjilan. Ka shumë mundësi që, një futbollist ta ketë filluar karrierën si profesionist pikërisht atëherë kur filluan punimet në këtë stadium, por ai mund ta përfundojë karrierën e stadiumi as atëherë të mos jetë gati, shkruan Shqip.com.

Punimet në stadiumin e qytetit në Gjilan kanë filluar saktësisht pesë vjet më parë. Që nga atëherë janë nënshkruar plot tre memorandume ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me Komunën e Gjilanit.

Punimet janë ndërprerë zyrtarisht në gusht të këtij viti, teksa Komuna e Gjilanit ka ndërprerë kontratën me kompaninë tenderuese “Al Trade”.

Në arsyetimin e dhënë thuhet se nuk ka projekt final për ta përfunduar stadiumin, ani pse MKRS dhe Komuna e Gjilanit kanë thënë që mjetet për përfundimin e stadiumit ekzistojnë.

Drita e Gjilani po i vuajnë vonesat, zgjidhja nuk duket të jetë e afërt

Derisa Gjilani vazhdon të jetojë për futbollin, sidomos për derbin ndërmjet Dritës e Gjilanit, skuadrat vazhdojnë të luajnë në fushën me bari sintetik e me tribuna që pranojnë numër fare të vogël të tifozëve.

Drejtori i Dritës, Valon Zymberaj, ka thënë për Shqip.com se kjo situatë po e vështirëson në masë të madhe punën.

“Të luash ndeshje kampionale në një fushë sintetike, që është e dedikuar për shkollat e futbollit është vërtet demotivuese dhe aspak e lehtë. Stadiumet sintetike nuk janë të shëndetshme as për lojtarët, ndërsa as tribunat dhe pjesët tjera përcjellëse të infrastrukturës nuk na lejojnë të organizojmë siç duhet ndeshjet kampionale”, ka thënë Zymberaj për Shqip.com.

Ai nuk është optimist për një zgjidhje të shpejtë të këtij problemi, që është shndërruar në histori.

“Për aq sa kemi informata, flitet që punimet do të rifillojnë në marsin e vitit të ardhshëm. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse deri atëherë prezantohen të gjitha dokumentet e nevojshme për të dëshmuar se gjithçka është gati, por vështirë të besojë dikush se ai stadium do të përfundojë ndonjëherë“, është shprehur Zymberi i zhgënjyer.

Edhe nga skuadra e Gjilanit theksojnë se zvarritjet e gjata të punës në stadium u kanë shkaktuar shumë probleme.

Zyrtari i kësaj skuadre, Drilon Sylejmani, për Shqip.com, ka thënë: “Natyrisht që vonesat në rinovimin e stadiumit të qytetit në Gjilan na kanë penalizuar shumë, pasi jemi të detyruar që gjithë aktivitetin tonë ta zhvendosim në fushën sintetike dhe njëherësh t’i zhvillojmë ndeshjet aty”.

Ai ka theksuar se pasojat e kësaj situate janë të shumta.

“Humbjet në aspektin financiar janë evidente, duke nisur që nga shitja e biletave dhe deri te reklamimi i bizneseve, të cilat më parë kishin interesim që marketingun e tyre ta bëjnë në stadiumin kryesor të qytetit. Po ashtu, në aspektin organizativ po na shkakton probleme të mëdha, pasi, shpesh detyrohemi të bartemi nga fusha sintetike në stadiumin kryesor me autobus dhe kjo është gjithashtu kosto shtesë për klubin”, ka shtuar Sylejmani.

As ai nuk ka informata rreth rifillimit të punëve.

“Nuk kemi ndonjë informacion të detajuar në lidhje me fillimet e mundshme të rinovimit, pasi tashmë jemi njoftuar që procesi është kthyer në pikën zero. Ne si klub urojmë që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje dhe të përfundojë rinovimi i stadiumit, sepse çdo ditë vonesë është humbje e madhe për klubin”.

Në Komunën e Gjilanit tregojnë si qëndron situata, punët pritet të rifillojnë pas tre-katër muajsh

Kushtrim Zeqiri, drejtor i Drejtoratit për Sport në Komunën e Gjilanit, ka thënë për Shqip.com se, momentalisht është duke u bërë auditimi.

“Pas informatave dhe deklaratave të ministrit dhe kryetarit të Komunës për Stadiumin e Qytetit në Gjilan, do të thotë pas ndërprerjes së kontratës me punëkryesin, tani është duke u zhvilluar auditimi nga ZKA (Zyra Kombëtare e Auditimit), që ka filluar dje. Pra, ZKA fillimisht është duke mbledhur të gjitha informacionet nga palët përfshirëse të projektit për të gjitha procedurat, që nga tenderimi që ka qenë, ndërrimi i kategorisë së stadiumit, raportet tre mujore e tjera dhe pastaj për të vendosur se a duhet bërë auditim detal apo jo pas mbledhjes së këtyre informacioneve”, ka thënë Zeqiri për Shqip.com.

Kështu pritej të dukej stadiumi në Gjilan

Ai ka shtuar se edhe në MKRS janë zotuar që ky projekt të përfundohet sa më parë është e mundur.

“Nga MKRS do të zhvillohen procedurat nga fillimi për tenderimin e vazhdimeve të punimeve të mbetura për të përfunduar. MKRS është zotuar se ky projekt është me prioritet të lartë që të fillohet sa më shpejt që është e mundur. Pas këtyre procedurave ligjore, punimet pritet të fillojnë brenda një periudhe 3-4 mujore”, është shprehur Zeqiri.

Derisa zvarritjet nuk kanë fund, Gjilani e Drita vazhdojnë të luajnë në një fushë larg standardeve të dëshiruara.

/Shqip.com