Lajme

Publikimet e Shqip.com: KPK në konferencë për shtyp – Lumezi mbetet i paprekshëm, për prokuroren Asllani ende asgjë konkrete

Përkundër se kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e kishte pranuar publikisht se ka biseduar me një person në telefon në kanale jo zyrtare dhe se ai është involvuar në skandalin e publikuar nga Gazeta Online Shqip.com, ku disa zyrtarë të drejtësisë tentonin të ndërhynin në një rast, Këshilli Prokurorial i Kosovës, e ka parë të paarsyeshme që të merren masa disiplinore ndaj tij.

Sipas KPK-së, Lumezi lakohet nga të tjerët, por nuk është vetë i përfshirë, paçka se përfshirja dokumentohet në publikimet e Shqip.com dhe gjithashtu Lumezi vetë e pati pranuar bisedën.

Por, Jetish Maloku, Kryesuesi i KPK-së, në konferencën e fundvitit këtë të enjte, ka deklaruar se “nuk ka masa disiplinore ndaj tij”.

Madje, Maloku ka shtuar edhe se “nuk mund të ketë”, duke i paraprirë kështu ndonjë vendimi eventual të Prokurorisë Speciale, e cila ende vazhdon hetimet për këtë rast.

“Nuk ka (masa disiplinore ndaj Lumezit) edhe s’ka mundur të ketë”, thotë ai, duke dhënë argumentin se “aty përmenden shumë emra tjerë, por s’ka qenë pjese e asaj që thuhet aty, s’kemi pas arsye”.

Por, përkundër këtyre përfundimeve të KPK-së dhe deklarimit të Malokut se s’ka përfshirje direkte të Lumezit, nga një hulumtim që po përgatit Shqip.com, të dhënat tregojnë se e vërteta mund të jetë ndryshe nga konkludimet e KPK-së.

Informacionet janë se përfshirja e Lumezit ishte e drejtpërdrejtë dhe se nuk ka ekzistuar vetëm një komunikim mes tij dhe një personi të tretë që tentonte zgjidhjen e rastit të tij.

Përveç Lumezit, KPK-ja nuk ka ndërmarrë ende asgjë as në rastin e Prokurores së Krimeve të Rënda, Shemsije Asllani.

Asllani ishte një nga protagonistët e publikimeve të Shqip.com, “Dosja: Inteligjenca e Zhvatjes”, e cila dëgjohej në telefon duke i premtuar një personi se do të interferonte në një rast të tij në Gjykatë dhe gjithashtu pranonte se ka marrë pjesë në një përzgjedhje joprofesionale të një gjyqtari, pos tjerash.

Por, lidhur me këtë rast, Maloku tha se është në procedurë e sipër dhe se do të trajtohet në takimet e para të vitit të ardhshëm në KPK.

“Ju njoftoj se ne menjëherë kemi marrë masat tona. Këshilli e ka bërë trupin e vet, ka bërë panelin hetimor. Për shkaqe objektive ka ardhur deri te kjo vonesë. Ne jemi në procedure e sipër, këtë rast do ta kemi në vitin tjetër në takimet e para të Këshillit”, tha Maloku.

Përfundime për Asllanin nuk janë nxjerrur përkundër se publikimet nga Shqip.com janë bërë qysh para pesë muajsh, me datën 30 korrik të këtij vitit.

Rreziku i ndikimeve në këtë hetim ishte shprehur si shqetësim edhe kur kishte filluar hetimet, por Lumezi në një paraqitje përmes telefonit në emisionin Debat Plus në TV Dukagjini, kishte premtuar se hetimi do të jetë “i pavarur dhe profesional”.  

Gjithashtu, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte apeluar atëkohë që të fillojë një hetim intensiv nga organet e drejtësisë.

Ndryshe nga Lumezi që nuk është prekur fare dhe Asllani që ende s’ka asgjë konkrete për rastin e saj, pas publikimit të audio-incizimeve nga Shqip.com, është shkarkuar drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu dhe ka dhënë dorëheqje gjyqtari i krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit, Driton Muhararemi, pasi fillimisht u detyra të japë dorëheqje nga pozita e anëtarit të KGJK-së dhe më pas u degradua nga gjyqtar i krimeve të rënda në Apel në gjyqtar për kundërvajtje në Themelore.

Klikoni në rubrikën N’shënjestër, për të shikuar të gjitha publikimet në Dosjen “Inteligjenca e Zhvatjes” në mënyrë kronologjike./Shqip.com