Lajme Dosja “Inteligjenca e Zhvatjes”

Pas publikimeve të Shqip.com, flet kryeprokurori Lumezi: Po kam biseduar me personin, ka provuar të na shantazhojë

Lumezi: Te unë thirrin palët, edhe të pandehurit, të dëmtuarit apo edhe dëshmitarët. Shumicën prej tyre i takoj
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pranuar të enjten mbrëma se ka biseduar në telefon me personin audio-incizimet e të cilit u publikuan nga Shqip.com dhe e ka konfirmuar që bëhet fjalë për Halit Sahitajn.

“Ka ndodhur një bisedë sepse personin e kemi identifikuar që nëpërmjet mashtrimeve ka tentuar të vijë te Kryeprokurori i Shtetit. Kam pranuar të bisedojë me të sepse më ka lidhur Dritoni (Muharremi) dhe ka kërkuar nga unë të interesohem lidhur me veturë”, ka thënë Lumezi.

I pyetur se “a ju ndodhë shpesh të bisedoni kështu me persona që nuk i njihni në telefon për punë, sic keni bërë me Sahitajn”, ai ka thënë “po”, sepse sipas tij, “bisedoj me palë që thërrasin”.

Në bisedën telefonike të siguruar nga Shqip.com, të publikuar më 4 gusht, mësohet se gjykatësi i krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit, Driton Muharremi, i kishte premtuar Sahitajt se do të bisedojë me Lumezin për rastin e tij dhe gjithashtu e kishte konfirmuar se ka pasur një bisedë mes Sahitajt e Lumezit (VIDEO 4:14-4:40).

Pra, Muharremi, përveç përfshirjes së vetë, kishte luajtur edhe rolin e ndërmjetësuesit kur përmes telefonit të tij i kishte vënë në kontakt personin që i është ndaluar vetura (Sahitajn) dhe vetë krye-prokurorin Aleksandër Lumezin.

Por, sipas kryeprokurorit, qëllimi s’ka qenë te vetura (për të cilën flitet në biseda), sepse kjo e fundit tha se i është kthyer autoriteteve gjermane para se të ndodhte biseda mes tyre.

“Qëllimi ka qenë të na shantazhojë”, deklaroi Lumezi.

“Te unë thirrin palët, edhe të pandehurit, të dëmtuarit apo edhe dëshmitarët. Shumicën prej tyre i takoj”, tha Lumezi në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ku u inkuadrua për të sqaruar rastin e audio-incizimeve.

Ndonëse audo-incizime në kuadër të dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes” kanë filluar të publikohen nga Shqip.com që nga 30 korriku 2021, në zyrat e mediumit akoma nuk është paraqitur dikush nga Prokuroria.

Megjithatë, Lumezi ka pohuar se hetimet tashmë i kanë filluar dhe se të premten do të vizitojnë zyrat e mediumit për t’i kërkuar audio-incizimet bruto, të cilat tha se është dashur t’i dorëzohen Prokurorisë nga Sahitaj.

Për këtë të fundit, kryeprokurori ka bërë të ditur se është duke vazhduar procedurë penale për shmangie të tatimit doganor, pasi siç ka thënë, vetura është konfirmuar nga autoritetet gjermane se është e vjedhur dhe është futur në Kosovë duke iu shmangur doganës.

“Vetura për të cilën bisedohet në auto-incizime, ne me 24.12.2019 ia kemi kthyer autoriteteve gjermane, të cilat na kanë vërtetuar se e njëjta është e vjedhur. Ndërsa, procedurë penale jemi duke e vazhduar për një person për shmangie të tatimit doganor. Bëhet fjalë për veturën Bently”.

Pas publikimeve të Shqip.com, deri më tani është shkarkuar drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, ka filluar proces hetimor për prokuroren Shemsije Asllani dhe gjithashtu vetë Lumezi ka konfirmuar se hetimet për gjithë rastin do të bëhen nga Prokuroria Speciale.

Ndërsa, për Driton Muharremin, gjyqtarin e krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit dhe anëtarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, është formuar një komision për Shqyrtimin e Përgjegjësisë Disiplinore ndaj tij.

Klikoni në rubrikën N’shënjestër, për të shikuar të gjitha publikimet në Dosjen “Inteligjenca e Zhvatjes” në mënyrë kronologjike./Shqip.com