Lajme

Ministrja e Drejtësisë thërret “për veprime” pas publikimeve të Shqip.com: Ky skandal nuk guxon të na heshtë – të përfshirët të japin përgjegjësi

Ilustrim

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur skandal atë që dëgjohet në publikimet e Shqip.com në Dosjen “Inteligjenca e Zhvatjes”, prandaj ka kërkuar reagim të menjëhershëm dhe dhënie të përgjegjësisë nga personat e përfshirë.

“Ky skandal sikurse edhe të tjerat në të kaluarën nuk guxojnë të na heshtin”, shkruan Haxhiu në një reagim në llogarinë e saj në Facebook.

“Zyrtarë të tillë që bëjnë pazare me lëndë e të përfshirë në afera dhe të tjerë që tentojnë të kontrollojnë mediet e kanë ndikim në kompetencat që i përkasin dikujt tjetër nuk kanë vend në institucione”, vazhdon postimi i Haxhiut.

“Të gjithë të përfshirët duhet të japin përgjegjësi. Andaj, përmes këtij reagimi thërras për veprime ndaj kësaj çfarë po dëgjojmë”.

Përgjimet e publikuara nga Shqip.com shpërfaqin keqpërdorime të detyrës zyrtare dhe plane për shantazh të personave me pozicione të larta në hierarkinë shtetërore.

Deri më tani, janë publikuar përgjimet e prokurores së krimeve të rënda, Shemsije Asllani dhe ato të drejtorit të Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu.

Derisa prokurorja Asllani i premton një personi në telefon se do t’i ndihmojë në një rast të tij te një tjetër prokuror dhe gjithashtu shpalosë veprime të tjera joligjore, drejtori Nuhiu tregon se si do të blejë media të caktuara që më pas përmes tyre t’i shantazhojë personat për të cilët ka shumë informata meqë është drejtor në NjIF.

Ministria Haxhiu është shprehur e shqetësuar me heshtjen që është tentuar të përcillen këto publikime.

“Për gjithë këto ditë nuk pamë asnjë reagim të institucioneve përgjegjëse e as personave në fjalë. Madje, as medias e shoqërisë civile”.

“Ndaj aferave të tilla si shoqëri gjithnjë kemi reaguar zëshëm, por as sot nuk patëm ndonjë reagim kur u publikua edhe përgjimi tjetër po aq problematik. Madje kaloi tërësisht në heshtje”.

“Heshtja dhe tendenca për t’u dukur se asgjë nuk po ndodhë është e papranueshme dhe e rrezikshme”, thuhet në këtë reagim zyrtar .

Haxhiu është befasuar gjithashtu edhe nga heshtja e mediave rreth përgjimeve të publikuara nga Shqip.com.