Shqipëria fiton ndaj Bjellorusisë, kuqezinjtë marrin 3 pikë të merituara
Shqipëria e ka nisur me fitore aventurën zyrtare të Rolando Maranit në stolin kuqezi, duke mposhtur 2-0 Bjellorusinë në sfidën e parë për pikë të trajnerit italian, të vlefshme për raundin e parë të Ligës së Kombeve.
Pas dy humbjeve në miqësoret e para nën drejtimin e tij, Marani më në fund shijon edhe trepikëshin e parë, në një mbrëmje ku Shqipëria tregoi efikasitet në momentet vendimtare dhe ruajti portën të paprekur.
Festa në “Air Albania” nisi në minutën e 34-t, kur Kristjan Asllani u tregua i pagabueshëm nga pika e bardhë. Mesfushori ekzekutoi saktë 11-metërshin e fituar më herët nga Berat Gjimshiti, duke i dhënë Shqipërisë avantazhin.
Një gol që erdhi në momentin e duhur për kuqezinjtë, të cilët kishin vuajtur prej disa ndeshjesh mungesën e finalizimit.
Kur pjesa e parë po i drejtohej fundit, Ernest Muçi do të vendoste edhe ai firmën në këtë fitore. Pas një asistimi të bukur të Elseid Hysajt, sulmuesi e dërgoi topin në rrjetë dhe dyfishoi avantazhin kuqezi.
Një gol me peshë edhe për vetë Muçin, i cili e shfrytëzoi në maksimum mundësinë e marrë nga Marani.
Në pjesën e dytë, Shqipëria kërkoi edhe golin e tretë dhe pati disa mundësi të mira për ta mbyllur përfundimisht ndeshjen, por kuqezinjtë nuk arritën t’i konkretizonin rastet
Ndeshja e radhës për kuqezinjtë do të jetë të martën, më 29 shtator, në transfertë ndaj San Marinos.
/Shqip.com