Lajme

Pas publikimeve të Shqip.com, shkarkohet Dardan Nuhiu

Dardan Nuhiu

Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, është shkarkuar me efekt të menjëhershëm, pas publikimeve të Gazetës Online Shqip.com, ku Nuhiu zbulon vetën duke treguar se si i ndikon personat e caktuar nëpër institucione dhe gjithashtu e ka në plan kapjen e sistemit medial në Kosovë.

Në ditën e tretë të vazhdimeve të Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes”, ministri i Financave Hekuran Murati, që është edhe kryetar i Bordit në NjIF, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, se Nuhiu shkarkohet.

“Pas shqyrtimit të audioincizimeve të publikuara në media dje e sot, të cilat implikojnë Drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Bordi Mbikëqyrës, në mbledhjen e mbajtur sot, morri vendim që të njëjtin ta shkarkojë me efekt të menjëhershëm”, thuhet në postimin e Muratit.

Dardan Nuhiu në një telefonatë që e ka siguruar Gazeta Online Shqip, thotë se ka informata për të gjithë.

Si drejtor i Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës ai thotë se ka grumbulluar informacione për shumë persona në strukturën shtetërore.

Siç thotë ai “prej ma të voglit e deri tek ata naltë”. Prandaj, tash dëshiron t’i shfrytëzojë këto informacione për të shantazhuar sa herë që ka nevojë. Plani i tij është “ta kapi sistemin medial”.

Më pas me anë të shantazhit nga mediat e tij t’i detyrojë njerëzit të bëjnë atë që ai thotë.

Skemën veç më ka filluar ta realizojë. E ka blerë një radio. Tash është në bisedime edhe me dy tre media të shkruara, “dy-tre portalet ma t’forta që janë këtu te na”, thotë Nuhiu, derisa ia shpalosë planin malicioz një personi që i kërkon partneritet, në një telefonatë që e ka siguruar redaksia e Gazetës Online Shqip.com.

Shqip.com do të vazhdojë publikimin e radhës nesër, e mërkurë, me fillim në orën 10:00, në kuadër të Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes”.

Futuni në rubrikën N’shënjestër dhe ndiqni në mënyrë kronologjike publikimet në kuadër të Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes”

/Shqip.com