N'shënjestër Dosja: “Inteligjenca e Zhvatjes” – Pjesa 4

Ekskluzive: “Çka ki te Lumezi fol me mu” – Shkeljet dhe fuqia e Driton Muharremit në sistemin prokurorial të Kosovës

Publikimi i katërt në serinë e publikimeve “Dosja Inteligjenca e Zhvatjes”. Ky është Driton Muharremi, gjykatësi i krimeve të rënda. Ai thotë se kryen funksionin e ndërmjetësit për te kryeprokurori, Aleksandër Lumezi.
Driton Muharremi, gjykatësi i krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit - Prishtinë.

Po që se keni nevojë të flisni me kryeprokurorin Aleksandër Lumezi dhe të kryeni punë në rrugë joligjore për problemet me prokurorinë e Kosovës, krejt çfarë duhet të bëni është një telefonatë gjykatësit të krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit, Driton Muharremit. Ai iu kryen punë.

Madje iu mundëson të bisedoni direkt me kryeprokurorin. Këtë e pranon vetë Muharremi, në një bisedë telefonike që ka siguruar Shqip.com, ku ai aprovon se jo vetëm që ushtron ndikimin e tij, por edhe luan rolin e ndërmjetësuesit në raste.

Muharremi, që është edhe anëtar në Këshillin Gjyqësor, mund të ketë kryer një vepër penale që sipas Kodit Penal të Kosovës dënohet me burgim deri në tetë vjet, nëse merret vesh se ai ka ushtruar ndikimin e tij në një rast të konfiskimit dhe lirimit të një veture.

Në disa biseda telefonike të siguruara nga Shqip.com, Muharremi del të jetë i lidhur me Drejtorin e Inteligjencës Financiare të Kosovës Dardan Nuhiu dhe përmes tij me një person që kërkon t’i lirohet një veturë pasi që i ishte konfiskuar, e që sipas tij, lirimin po e bllokonte krye-prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Hey s’em thirri gjykatësi bre, Dritoni”, i thotë telefonuesi Dardan Nuhiut, pasi ky i fundit i kishte premtuar se një telefonatë nga gjykatësi do ta ketë.

A nuk të thirri a?”, kërkon konfirmim Nuhiu.

Jo”, thotë personi, duke u ri-siguruar se Nuhiu porosinë ia ka kryer, “a i the me’m thirrë?”.

Po thuj le të’m thrret o burr”, këmbëngulë telefonuesi, derisa Nuhiu e siguron se menjëherë do të merret me porosinë e tij.

Qe për një moment, pritëm hajt”.

Telefonata tjetër shpalosë se Nuhiu e kishte mbajtur premtimin, pasi Driton Muharremi thërret në telefon.

Ku je? Ku je ti që po ankohesh që krejt dynjaja kundër teje?”, thotë Muharremi.

Telefonuesi i ankohet se është i dëmtuar. Se po e dëmtojnë institucionet duke ia bllokuar një veturë dhe duke mos ia lëshuar.

Unë i dëmtum, i shkërdhym, e i plaçkitun”, thotë ai.

Në vazhdim të bisedës kuptohet se kjo nuk ishte hera e parë që Muharremi po fliste me këtë person, i cili i kërkonte t’i ndihmojë për të kthyer veturën.

A je vetëm? A muj flet?”, e pyet ai Muharremin. Ky ia konfirmon. “Po, vetë”.

Po ti, kur folëm bashkë burrë me the që krejt çka ki me Lumezin muj me fol me ty”.

Muharremi këtu fillon të arsyetohet. Ja lë fajet situatës me COVID-19, meqë rasti, por edhe biseda telefonike zhvillohet pikërisht në muajit e verës të vitit 2020.

Po mire de, po tash me telefon ai s’fol. Unë me shku (s’mundem) kështu për shkak të COVID jonë mshel edhe gjyqet edhe krejt, unë as në punë s’jom t’u shku, ai (Lumezi) me smuja të veta me shku me u afru me ua ngjitë najsen, nuk është sen që bohet”, thotë Muharremi.

Megjithatë, tregon se do të bëjë krejt çfarë mundet.

Vallahi unë do të munona me e taku deri para bajramit, m’i shku nesër në zyre e me kqyr a o t’u dalë në zyre maspari. Se tha po tutna që për shkak se e ka shëndetin kështu më të vështirsum tha po munona me i kry puntë prej shpisë”.

Telefonuesi vazhdon të ankohet. Ndjehet “i demtum” dhe është i bindur që e kanë personale me të.

Pse bre, unë send s’i kom bo ktinaj?”, thotë ai.

Gjyqtari do të sigurohet se të dy po flasin për të njëjtin rast.

Për punë të qatij kerri, a për çka osht puna?”, pyet ai.

Për punë të qatij kerri, pare, për punë krejt, dmth qyky Shpend Krasniqi po thotë unë kerrin nuk e lëshojë pa më thanë ky (Lumezi), dmth kjo po është e kjart”.

Pastaj Muharremi e siguron se nuk bëhet fjalë për diçka personale me të, madje për ta bindur ai zbulon vetën duke i kujtuar telefonuesit se ishte edhe një rast tjetër që i kishte ndihmuar, por procesi kështu njësojë ishte vonuar.

Po o metë punë neglizhence”, thotë ai.

Ti e dinë edhe herën e kalume qysh punë për mukajet”.

Gjithsesi, për ta qetësuar i premton që do të sforcohet për të realizuar edhe një takim.

Muharremi, si gjyqtar që është, e di se me nenin 424 në Kodin Penal të Republikë së Kosovës, apo siç është i emëruar “ushtrimi i ndikimit”, ndalohet çfarëdo ndikimi mbi vendimmarrjen e personit zyrtar.

“Pavarësisht nëse ndikimi është ushtruar ose pavarësisht nëse ndikimi i supozuar shpie deri te rezultati i synuar, dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet”, saktëson neni.

Por, Muharremi, njeriu që nga pozita e tij vendos edhe për formimin e komisioneve për përzgjedhjen e gjyqtarëve të rinj, nuk heziton.

Hajt unë deri të premten e takoj edhe nesër po këqyri mos po shkoj deri te zyra e tije”.

Në bisedën telefonike të siguruar nga Shqip, mësohet se Driton Muharremi përveç përfshirjes së vetë, ai kishte luajtur edhe rolin e ndërmjetësuesit kur përmes telefonit të tij i kishte vënë në kontakt personin që i është ndaluar vetura dhe vetë krye-prokurorin Aleksandër Lumezin.

Atë ditë kur më thirri prej teje a din, a di atëherë”, i kërkon t’i thërras memories Muharremi, i cili e bën.

Po”.

A e pave qysh u zbeh i mbet në fyt krejt”, thotë telefonuesi, derisa Muharremi me një tjetër “po”, ia konfirmon këtë moment të supozuar sikleti të kryeprokurorit.

Lexo edhe:
Ekskluzive: Shantazh, pastrim figurash dhe emërime nëpër poste – Masterplani i Dardan Nuhiut për plaçkitje dhe shantazh – Pjesa 2

Ata nuk vazhdojnë të tregojnë se për çfarë bëhej fjalë konkretisht dhe çka e paska detyruar Lumezin t’i “mbetet në fyt”.

Muharremi, përveç gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën e Apelit, në gusht të vitit të kaluar ishte votua si anëtar i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Në vitin 2006 ishte emëruar gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prishtinë ku kishte punuar deri në vitin 2010, për t’u emëruar më pas gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Driton Muharremi, në Agjencinë Kundër Korrrupsionit, si pasuri të pa luajtshme, ka deklaruar dy banesa dhe dy pllaca të cilat kapin shumën gjithsej 448 mijë euro.

Muharremi po ashtu njihet si gjyqtari i cili kishte qenë pjesë e panelit të kolegjit të gjyqtarëve të Apelit, që liruan nga akuza ish-kryetarin e Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, ndonëse më pas Gjykata Supreme kishte konstatuar se lirimi i Mekaj ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme.

Klikoni në rubrikën N’shënjestër, për të shikuar të gjitha publikimet në Dosjen “Inteligjenca e Zhvatjes” në mënyrë kronologjike./Shqip.com