Sport Shqiptar

Humbje që “djegin”, Shqipëria humbet terren në FIFA

Shqipëria zhgënjeu në dy miqësoret e marsit, duke pësuar disfatë ndaj Kilit dhe Suedisë. Rezultate këto që ulin me “këmbë në tokë” skuadrën e Sylvinhos, pas një entuziazmi të shfrenuar pas kualifikimit të madh në Europian.

Si pasojë e këtyre dy humbjeve, kur FIFA të përditësojë në javën e ardhshme renditjen e saj, Shqipëria do të ketë rënë përsëri me dy vende të tjera në klasifikim, nga i 64-t, në vendin e 66-të, duke vazhduar një trend aspak pozitiv. Kjo renditje sheh Shqipërinë të 30-ën mes ekipeve europiane në këtë klasifikim.

Por ajo nuk do të jetë skuadra më e “dobët” e Europianit në këtë aspekt.

Ky vend i rezervohet Gjeorgjisë debutuese që aktualisht mban vendin e 75-të në renditjen e FIFA-s, të 36-in mes vendeve europiane në këtë klasifikim.

Vlen për t’u theksuar se Shqipëria do të shkojë në Euro 2024, duke ditur se ka përballë një detyrë shumë të vështirë, pasi të tre rivalët e saj në grupo janë mes 10 ekipeve më të mira në renditjen e FIFA-s.

Spanja është në vendin e 8, Italia në vendin e 9 dhe Kroacia në vendin e 10 në renditjen botërore, e cila udhëhiqet nga Argjentina që ndiqet nga Franca, Belgjika dhe Anglia.

/Shqip.com