Lajme Dosja “Inteligjenca e Zhvatjes”

“E palejueshme ligjërisht” dhe “e çuditshme”, biseda e Lumezit me personin që tha se deshi ta “shantazhojë”

"Në aspektin ligjor nuk lejohet, për atë arsye është avokati tek e fundit, i cili është i autorizuar prej palës. Këto punë duhet të kryhen përmes avokatit dhe shkresave, sipas dispozitave ligjore"
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi

Deklarata e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, se ka biseduar në telefon me një person me emrin Halit Sahitaj, audio-incizimet e të cilit u publikuan nga Shqip.com, po cilësohet si “e çuditshme” dhe mbi të gjitha e “e padrejtë ligjërisht”, nga njohës ligjorë.

Avokati Berat Tmava në një prononcim për Shqip.com tha se në aspektin ligjor, nuk lejohet takimi/biseda e prokurorëve dhe gjyqtarëve drejtpërdrejt me palë.

“Në aspektin ligjor nuk lejohet, për atë arsye është avokati tek e fundit, i cili është i autorizuar prej palës. Këto punë duhet të kryhen përmes avokatit dhe shkresave, sipas dispozitave ligjore. Sipas meje, as gjyqtarët e as prokurorët s’kanë të drejtë të bisedojnë me palë. Nuk është e drejtë”, tha Tmava.

Ndërsa, për drejtorin ekzekutiv të organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, deklarata e Lumezit është e çuditshme dhe shqetësuese.

“Për mua personalisht është e çuditshme se si kryeprokurori pranon të flasë në telefon me një të panjohur, por edhe nëse është i njohur dhe dihet që ka të kaluar kriminale, prapë është shqetësuese. Cilindo aspekt që ta marrim, mendoj se është problematike”, u shpreh ai.

Në bisedën telefonike të siguruar nga Shqip.com, të publikuar më 4 gusht, mësohet se gjykatësi i krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit, Driton Muharremi, i cili tashmë ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i kishte premtuar Sahitajt se do të bisedojë me Lumezin për rastin e tij dhe gjithashtu e kishte konfirmuar se ka pasur një bisedë mes Sahitajt e Lumezit.

Por, sipas këtij të fundit, qëllimi s’ka qenë te një veturë (për të cilën flitet në biseda), sepse kjo e fundit tha se i është kthyer autoriteteve gjermane para se të ndodhte biseda mes tyre.

“Qëllimi ka qenë të na shantazhojë”, deklaroi Lumezi të enjten mbrëma.

Por, nëse qëllimi ka qenë shantazhi, atëherë avokati, Tomë Gashi, thotë se “ai është dashur ta arrestojë në moment”.

“Nëse kjo ka ndodhur vitin e kaluar 2020, atëherë bie fjala pse as sot nuk është në arrest zoti Sahitaj?”.

Gashi shtoi se përgjimet, pa marrë parasysh nëse janë të autorizuara apo jo, duhet të cojnë vetëm në një rrugë – hapje të hetimeve.

“Hapjen e hetimeve penale dhe disiplinore për secilin që është i implikuar në këto çështje që e dëmtojnë kredibilitetin e sistemit juridik të Kosovë”.

“Të gjitha të tjera janë llafe për kafe pa marrë parasysh kush dhe pse i thotë”, tha ai për gazetën.

Pas publikimeve të Shqip.com, deri më tani është shkarkuar drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, ka filluar proces hetimor për prokuroren Shemsije Asllani dhe gjithashtu vetë Lumezi ka konfirmuar se hetimet për gjithë rastin do të bëhen nga Prokuroria Speciale.

Ndërsa, gjyqtari Driton Muharremi, të premten ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Klikoni në rubrikën N’shënjestër, për të shikuar të gjitha publikimet në Dosjen “Inteligjenca e Zhvatjes” në mënyrë kronologjike./Shqip.com