Lajme

Pas publikimeve të Shqip.com Këshilli Prokurorial parashtron kërkesë për inicim të procedurës disiplinore ndaj prokurores Shemsije Asllani

Prokurorja e Krimeve të Rënda, Semsije Asllani.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka parashtruar kërkesë për inicimin e procedurës disiplinore ndaj Prokurores së Krimeve të Rënda, Shemsije Asllani.

Për këtë do të iniciohet procedurë disiplinore ndaj Asllanit e cila po dyshohet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, njofton opinionin publik se Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në kuadër të kompetencave ligjore, ka parashtruar sot në KPK kërkesë për inicim të procedurës disiplinore ndaj një prokurori të kësaj prokurorie që ka të bëjë me audio-incizimet e publikuara në portalin “Shqip.com”, thuhet në reagimin e KPK-së.

 

“Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron opinionin publik se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për ta trajtuar këtë rast dhe njëherësh njofton tërë opinionin publik dhe institucionet e pushtetit ekzekutiv se nuk do t’i nënshtrohet asnjë lloj presioni apo tentim-ndikimi nga jashtë, por veprimet e veta gjithnjë do të jenë në përputhje me kompetencat që ia garanton Kushtetuta dhe Ligji”.

Të premten e kaluar Gazeta Online Shqip.com ka publikuar disa incizime, në të cilat përfshihen zyrtarë të lartë, në mesin e të cilave, edhe prokurorja Asllani.

Në bisedën e siguruar nga Shqip.com prokurorja e krimeve të rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, i tregon një telefonuesi se si ka ndikim të madh brenda sistemit dhe do ta përdorë këtë ndikim për të ndërhyrë edhe në rastin e tij.

Ajo premton se do ta ushtrojë ndikimin e saj, vepër penale kjo e dënueshme deri në tetë vjet burg, në rastin e një personi që thotë se padrejtësisht iu ka ndaluar një veturë shumë e kushtueshme.

Asllani fillimisht refuzon të flas, por qasja i ndryshon kur kupton se bashkëbiseduesi di gjëra sekret për të, të cilat po u zbuluan do t’ia dëmtonin imazhin dhe do të mund ta implikonin në shkelje ligjore.

Asllani e di se biseda me një person privat për një rast në të cilin ajo nuk është prokurore është e ndaluar me ligj, por kjo nuk i pengon.

Ajo vazhdon të flas dhe të implikohet. Krejt çfarë i duhet është një siguri nga bashkëbiseduesi që biseda që po bëhet të mos dëgjohet nga dikush tjetër, kurrë.

“Kjo në dhe ka me hi”, “të lutëm”, i thotë Shemsije Asllani, personit me të cilin po diskutonte në telefon rreth problemit që ai e kishte me krye-prokurorin Aleksandër Lumezi, derisa i tregonte Asllanit se ka parë diçka jo të “hijshme” për të.

Të martën, Ministria e Financave, ka njoftuar se është shkarkuar Dardan Nuhiu nga pozita e Njësitit të Inteligjencës Financiare për të cilin kishte raportuar Gazeta Online Shqip.com . /Shqip.com