Lajme

Çitaku: Nuk ka nevojë të jesh oficer i inteligjencës që të kuptosh qëllimin e udhëtimit të Aslamovës

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se nuk duhet të jesh officer i intelegjencës për të kuptuar qëllimin e udhëtimit të Daria Aslamovës në Kosovë.

Përmes një postimi në Twitter, Çitaku ka thënë se Aslamova është apologjete e Putinit dhe propagandiste e Rusisë.

“Daria Aslamova u arrestua sot teksa tentoi të kalonte kufirin nga Serbia për në  Kosovë . Ajo është apologjete e Putinit dhe propagandiste e Rusisë. Nuk ka nevojë të jesh oficer i inteligjencës për të kuptuar qëllimin e “udhëtimit” të saj Aslamova tani është në paraburgim të autoriteteve të Kosovës”, shkroi Çitaku.

Lexo edhe:
Të akuzuarës nga disa vende për spiunazh për Rusinë iu ndalua hyrja në Kosovë

Sot gjatë ditës së shtunë, në pikën kufitare në veri të Kosovës, është ndaluar Daria Aslamova ndaj të cilës shumë shtete kanë vertëtuar se ka qenë e angazhuar në spiunazh për Rusinë.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Ministrisë së Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një postimi në Facebook, ku thuhet se nën petkun e gazetarës ajo ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar.

“Sot, në pikë kalimin kufitar në veri të vendit është ndaluar Daria Aslamova. Shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares. E njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës”, shkroi Sveçla.

Sveçla thotë se tentimi i Aslamovës për të hyrë në Kosovë përkon me zhvillimet në veri të vendit dhe dëshmon lidhjet me propagandën ruse.

Lexo edhe:
EULEX-i shton patrullimet në veri pas sulmit ndaj Policisë në Liqenin e Ujmanit

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, në Liqenin e Ujmanit është shtënë me armë zjarri në drejtim të Policisë së Kosovës dhe për këtë, EULEX-i do t’i shtojë patrullimet në veri të Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark.

Wigemark tha se ky sulm është i rrezikshëm dhe akt kriminal i cili duhet të ndërpritet menjëherë

Lexo edhe:

Kurti: Hera e dytë në më pak se një javë që Policia e Kosovës sulmohet nga bandat kriminale në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është hera e dytë brenda një jave që Policia e Kosovës po sulmohet nga bandat kriminale në pjesën veriore të territorit.

Kurti tha se rrugët sot janë pa barrikada por që bandat kriminale po vazhdojnë të barrikadojnë vetën kundër agjencive të Kosovës dhe zbatimit të ligjit.

Lexo edhe:

Sveçla: Strukturat e caktuara serbe, po bëjnë përpjekje të na pengojnë të kryejmë detyrën tonë

Lidhur më këtë ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai është shprehur se struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të na pengojnë apo ndalojnë të kryejmë detyrën tonë brenda vendit.

Lexo edhe:

Lista Serbe-serbëve në veri: Mos bini pre e provokimeve të Sveçlës dhe pushtetit nga Prishtina

Ndërsa, Lista Serbe ka dalur me një komunikatë për media ku ju është drejtuar qytetarëve serb në veri të Kosovës duke ju thënë që të mos bien pre e provokimeve të Ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçlës dhe Qeverisë së Kosovës.

Përmes një postimi në faqen e tyre zyrtarë, Lista Serbe ju është drejtuar serbëve duke ju thënë se pushteti në Kosovë po tenton t’i paraqes serbët e veriut si të këqinj.

Po ashtu, me 31 korrik, serbët në veri të Kosovës, kanë barrikaduar rrugët në shenjë proteste kundër vendimeve të Qeverisë së Kosovës si masa të reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet.

Nga ky tension janë lënduar 11 qytetarë si dhe janë dëmtuar automjete të qytetarëve dhe Policisë së Kosovës.

Me kërkesën e partnerëve ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës ka pezulluar vendimet që janë në përputhje me masat ë reciprocitetit për 1 shtator me kushtin që të gjitha barrikadat të largohen.

Në ditën e dytë të tensioneve barrikadat janë larguar nga veriu i Kosovës./Shqip.com