Lajme

EULEX-i shton patrullimet në veri pas sulmit ndaj Policisë në Liqenin e Ujmanit

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark

Pas të shtënave me armë gjatë ditës së sotme drejt Policisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit, EULEX-i do t’i shtojë patrullimet në veri të Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark.

Wigemark tha se ky sulm është i rrezikshëm dhe akt kriminal i cili duhet të ndërpritet menjëherë

“Të shtënat e sotme në liqenin e Gazivodës janë edhe një sulm me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës. Askush nuk u lëndua, por këto sulme jo vetëm që janë të rrezikshme, janë akte kriminale dhe duhet të ndërpriten menjëherë. EULEX-i në Kosovë do të shtojë patrullimet në zone”, shkroi Wigemark.

Në lidhje me këto të shtëna me armë zjarri në veri të Kosovës, ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti i cili tha se është hera e dytë brenda një jave që Policia e Kosovës po sulmohet nga bandat kriminale në pjesën veriore të territorit.

Ai tha se rrugët sot janë pa barrikada por që bandat kriminale po vazhdojnë të barrikadojnë vetën kundër agjencive të Kosovës dhe zbatimit të ligjit.

Lexo edhe:

Sveçla: Strukturat e caktuara serbe, po bëjnë përpjekje të na pengojnë të kryejmë detyrën tonë

Lidhur më këtë ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai është shprehur se struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të na pengojnë apo ndalojnë të kryejmë detyrën tonë brenda vendit.

Lexo edhe:

Lista Serbe-serbëve në veri: Mos bini pre e provokimeve të Sveçlës dhe pushtetit nga Prishtina

Ndërsa, Lista Serbe ka dalur me një komunikatë për media ku ju është drejtuar qytetarëve serb në veri të Kosovës duke ju thënë që të mos bien pre e provokimeve të Ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçlës dhe Qeverisë së Kosovës.

Përmes një postimi në faqen e tyre zyrtarë, Lista Serbe ju është drejtuar serbëve duke ju thënë se pushteti në Kosovë po tenton t’i paraqes serbët e veriut si të këqinj.

Tutje ata thonë se në mjediset serbe nuk ka tensione dhe konflikte si dhe me shqiptarët dhe komunitetet tjera serbët jetojnë në paqe.

Liqeni i Ujmanit

Ndërsa, ata thonë se nuk i shkon Prishtinës që çdo ditë dërgon forca të armatosura të cilat ngacmojnë dhe shtypin qytetarët në veri.

Po ashtu, me 31 korrik, serbët në veri të Kosovës, kanë barrikaduar rrugët në shenjë proteste kundër vendimeve të Qeverisë së Kosovës si masa të reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet.

Nga ky tension janë lënduar 11 qytetarë si dhe janë dëmtuar automjete të qytetarëve dhe Policisë së Kosovës.

Me kërkesën e partnerëve ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës ka pezulluar vendimet që janë në përputhje me masat ë reciprocitetit për 1 shtator me kushtin që të gjitha barrikadat të largohen.

Në ditën e dytë të tensioneve barrikadat janë larguar nga veriu i Kosovës./Shqip.com