Lajme

Kurti: Hera e dytë në më pak se një javë që Policia e Kosovës sulmohet nga bandat kriminale në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është hera e dytë brenda një jave që Policia e Kosovës po sulmohet nga bandat kriminale në pjesën veriore të territorit

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se kjo ndodhi vetëm gjashtë ditë pas incidenteve të së dielës.

“Rreth 10 të shtëna janë qëlluar sot në drejtim të Policisë Kufitare që po hipte në një patrullë me varkë në liqenin e Ujmanit. Kjo është hera e dytë në më pak se një javë që Policia e Kosovës sulmohet nga bandat kriminale në pjesën veriore të territorit tonë, vetëm gjashtë ditë pas incidenteve të së dielës”, shkroi Kurti.

Kurti tha se rrugët sot janë pa barrikada por që bandat kriminale po vazhdojnë të barrikadojnë vetën kundër agjencive të Kosovës dhe zbatimit të ligjit.

“Fatmirësisht i shpëtuam viktimave dhe tani po zhvillohet një hetim i plotë. Sot, rrugët janë pa barrikada. Por bandat kriminale vazhdojnë të barrikadojnë veten kundër agjencive tona të zbatimit të ligjit dhe luftës sonë kundër krimit të organizuar”.

Liqeni i Ujmanit
Lexo edhe:
Sveçla: Strukturat e caktuara serbe, po bëjnë përpjekje të na pengojnë të kryejmë detyrën tonë

Lidhur më këtë ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai është shprehur se  struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të na pengojnë apo ndalojnë të kryejmë detyrën tonë brenda vendit.

“Rreth 10 herë sot është shtënë drejt zyrtarëve të policisë kufitare derisa ata po kryenin detyrën e tyre zyrtare, kontrollën rutinore në Liqenin e Ujmanit. Grupet ilegale serbe të cilat tashmë po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të na pengojnë apo ndalojnë të kryejmë detyrën tonë brenda vendit tone”, ka thënë Sveçla.

Lexo edhe:
Policia e Kosovës sulmohet me armë në Liqenin e Ujmanit

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësitet e saja sot gjatë ditës janë sulmuar në Liqenin e Ujmanit.

“Sot, më 06.08.2022 rreth orës 11:25, njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) Zubin Potok, derisa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit është sulmuar me armë zjarri”, thuhet fillimisht në njoftimin e PK-së.

Po ashtu është bërë e ditur se në drejtim të njësive policore është shtënë 10 herë me armë zjarri.

“Njësia policore ka njoftuar se në drejtim të tyre ka pasur të shtëna me armë. Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar”, thuhet më tutje në njoftimin e PK.

Në asistencë të njësisë policore ka shkuar Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare.

Policia po vazhdon të vëzhgojë terrenin dhe ta trajtojë rastin. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë dhe luftimin e kriminalitetit e me theks të veçantë të kontrabandës në atë zonë, thuhet më tutje në njoftimin e PK-së./Shqip.com