Lajme

Vela: Presidentja s’ka vendosur për shtyrjen e zgjedhjeve, por ka ftuar takim konsulativ

Blerim Vela dhe Vjosa Osmani.

Blerim Vela, Shefi i Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ftesa e kësaj të fundit nuk paraqet vendim për shtyrjen e zgjedhjeve, por është takim konsultativ.

“Mos përhapni të pavërteta! Takimi ka të bëjë me shqyrtimin e opinionit e rekomandimit të IKSHPK lidhur me procesin zgjedhor”, ka shkruar ai në Twitter.

Presidentja e Kosovës, ka ftuar partitë politike për një takim konsultativ.

Takimi do të mbahet të hënën, më 13 shtator 2021, në orën 17:00.

Siç bëhet e ditur, ftesa është bërë “për të diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend”.

 







Ditë më parë, kryeparlamentari, Glauk Konjufca, kishte deklaruar se nëse do të ishte pyetur ai “zgjedhjet do të shtyheshin”.

Sipas tij, kjo për shkak të pandemisë me COVID-19, ku numrat e vdekjeve dhe infeksioneve janë rritur

Por, sipas liderëve opozitarë “pushteti po frikësohet nga kutitë e votimit”.

Zgjedhjet parashihen të mbahen më 17 tetor, ndërsa është propozuar edhe shkurtimi i kohëzgjatjes së fushatës zgjedhore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka kumtuar të premten se “s’ka ende kërkesë zyrtare për një gjë të tillë”. /Shqip.com

 
.
 
.