Lajme Dosja “Inteligjenca e Zhvatjes”

Shemsije Asllani, prokurorja e degraduar, ankohet në Gjykatën Supreme

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka degraduar prokuroren Shemsije Asllani nga Departamenti për Krime të Rënda në Departamentin e Përgjithshëm, pas publikimeve të Shqip.com

Prokurorja Shemsije Asllani ka dorëzuar këtë të martë ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për ta degraduar nga Departamenti për Krime të Rënda në Departamentin e Përgjithshëm, pas publikimeve të Shqip.com.

Krahas kësaj, KPK-ja e ka transferuar prokuroren Asllani nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Vendimi nga Supremja lidhur me ankesën e prokurores Asllani pritet të merret brenda afati ligjor prej 30 ditësh.

“Ju njoftojmë se ankesa e prokurores në fjalë është dorëzuar sot në Gjykatën Supreme. Pas ndarjes në punë, për ankesën vendos kolegji gjyqësor brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, bazuar në Ligjin  06/L-057, për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, neni 15, pika 4”, thuhet në përgjigjen e Gjyaktës Supreme për Shqip.com.

KPK-ja ende nuk e ka bërë publik në faqen zyrtare degradimin dhe transferimin e Asllanit.

Por, për Shqip.com nga ky institucion kanë bërë të ditur se vendimi është marrë më 12 janar dhe së i njëjti do të bëhet publik posa të marrë formën e prerë.

“Vendimi është marrë më 12 janar 2022. Në bazë të legjislacionit në fuqi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën Supreme. Konform Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjitha vendimet disiplinore të formës së prerë, përveç ‘Vërejtjeve jopublike’, publikohen në uebfaqe të KPK-së, andaj edhe vendimi i Prokurores në fjalë kur e merr formën e prerë do të publikohet”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Shqip.com në kuadër të Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes” kishte publikuar edhe tekstin me titull Ekskluzive: Ndërhyrje në raste, ushtrim i ndikimit, keqpërdorim i pozitës dhe fotografi të dyshimta – rasti me plot dritëhije i prokurores Shemsije Asllaniku në një bisedë telefonike tashmë ishprokurorja e krimeve të rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, i tregonte një telefonuesi se si ka ndikim të madh brenda sistemit dhe do ta përdorë këtë ndikim për të ndërhyrë edhe në rastin e tij.

Ajo premtonte se do ta ushtrojë ndikimin e saj, vepër penale kjo e dënueshme deri në tetë vjet burg, në rastin e një personi që thoshte se padrejtësisht iu ka ndaluar një veturë shumë e kushtueshme.

Asllani, siç dëgjohet në incizimet e publikuara, fillimisht refuzon të flas, por qasja i ndryshon kur kupton se bashkëbiseduesi di gjëra sekret për të, të cilat po u zbuluan do t’ia dëmtonin imazhin dhe do të mund ta implikonin në shkelje ligjore.

Asllani, vazhdon bisedën duke e ditur se komunimi me një person privat për një rast në të cilin ajo nuk është prokurore është i ndaluar me ligj.

Shqip.com kishte filluar publikimin e Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes” me 30 korrik. Pas publikimeve dhe debatit të madh publik, kishte reaguar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, derisa vetëm pas dy javësh krye-prokurori, Aleksandër Lumezi, që përmendej disa herë nga zyrtarë të ndryshëm në këto përgjime, pati deklaruar në një emision në RTV Dukagjini, se Prokuroria Speciale do të fillojë hetimet për këtë rast.

Asllani është zyrtarja e tretë që afektohet nga publikimet e Shqip.com, meqë fillimisht ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit, Dardan Nuhiu, edhe ai pjesë e publikimeve dhe muajin e fundit të vitit të kaluar, u degradua edhe Gjyqtari i Krimeve të Rënda, Driton Muharremi, i cili më pas edhe dha dorëheqje krejtësisht.  

Klikoni në rubrikën N’shënjestër, për të shikuar të gjitha publikimet në Dosjen “Inteligjenca e Zhvatjes” në mënyrë kronologjike./Shqip.com