Lajme Dosja “Inteligjenca e Zhvatjes”

Masa disiplinore ndaj gjyqtarit Driton Muharremi pas publikimeve të Shqip.com – Nga gjyqtar i Krimeve të Rënda në Apel, degradohet në gjyqtar i Themelores

Pas shkarkimit të menjëhershëm të Dardan Nuhiut nga ministri Hekuran Murati si pasojë e publikimeve të Shqip.com, ka ardhur edhe degradimi i gjyqtarit Driton Muharremi, pas procedurës disiplinore që është zhvilluar ndaj tij nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, duke u bazuar në publikimin e Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes”.

Driton Muharremi, i cili dha dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës pas publikimit të audio-incizimeve të Shqip.com, ku ai dëgjohej tek i premtonte një personi se, jashtëligjshëm, do interesohej që për rastin e tij të fliste me kryeprokurorin Aleksandër Lumezi, pas hetimit disiplinor ndaj tij, ai nga Gjyqtar i Krimeve të Rënda në Gjykatën e Apelit është ri-pozicionuar në një tjetër funksion brenda sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Shqip.com mëson se Muharremi është disiplinuar duke u degraduar si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Redaksia ka dërguar pyetje në adresë të kësaj gjykate, por nuk ka pranuar përgjigje, ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk e ka mohuar vendimin për Muharremin, porse nuk ka dashur të komentojë më shumë.

“Lidhur me pyetjen e juaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës i Kosovës (KGJK),  nuk mund të jep informacione për raste disiplinore përderisa nuk kemi vendim të formës së prerë”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së për Shqip.com.

Edhe vetë Muharremi ka qenë i paqasshëm në telefon.

Driton Muharremi dha dorëheqje nga KGJK-ja në gusht të këtij viti, pas publikimit të audio-incizimeve nga Shqip.com, ku ai dyshohet se “ka keqpërdorur detyrën zyrtare”.

Në letrën që Muharremi i kishte dërguar kryesuesit të KGJK-së, i njëjti ishte shprehur se këto audio-incizime “janë të orkestruara nga grupe interesi”, megjithatë nuk kishte dhënë detaje se kush ishte ai grup i interesit dhe çfarë saktësisht po orkestronte.

Për Muharremin procedura disiplinore filloi pasi në gusht të këtij viti Shqip.com publikoi Dosjen “Inteligjenca e Zhvatjes” ku në një nga videot dëgjohej edhe Driton Muharremi se si tentonte të ndërhynte në një rast të një personi tjetër dhe po ashtu e konfirmonte vetë se kishte ndërhyrë edhe në raste të tjera.

Muharremi, siç kuptohej nga audio-incizimet, ishte urë e palëve të interesit për tek kryeprokurori Aleksandër Lumezi.

Atë e kishte ekspozuar më pas edhe vetë Lumezi, ku në një paraqitje përmes telefonit në emisionin Debat Plus në Radio Televizionin Dukagjini, kishte thënë që me personin në fjalë, i cili sipas Lumezit, provonte ta shantazhonte, e kishte vënë në kontakt pikërisht Muharremi.

“Po, mua me të më ka lidhur Dritoni”, pati thënë Lumezi, pos tjerash.

Veç kësaj, nga audio-incizimet kuptohej se Muharremi, asokohe gjyqtar i krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit – ishte i lidhur ngushtë me Dardan Nuhiun, Drejtorin e Inteligjencës Financiare të Kosovës, i cili ishte pjesë e këtyre përgjimeve dhe pas publikimit u shkarkua nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

Nga ajo që dëgjohej në telefonatat e publikuara nga Shqip.com, sipas Kodit Penal të Kosovës konsiderohet vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tetë vjet, pasi provon se ai ka ushtruar, apo ka tentuar ta ushtrojë, ndikimin e tij në një rast të konfiskimit dhe lirimit të një veture.

Kush është Driton Muharremi?

Muharremi, përveç gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën e Apelit, në gusht të vitit të kaluar ishte votua si anëtar i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Në vitin 2006 ishte emëruar gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prishtinë ku kishte punuar deri në vitin 2010, për t’u emëruar më pas gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Driton Muharremi, në Agjencinë Kundër Korrrupsionit, si pasuri të pa luajtshme, ka deklaruar dy banesa dhe dy parcela të cilat kapin shumën gjithsej 448 mijë euro.

Muharremi po ashtu njihet si gjyqtari i cili kishte qenë pjesë e panelit të kolegjit të gjyqtarëve të Apelit, që liruan nga akuza ish-kryetarin e Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, ndonëse më pas Gjykata Supreme kishte konstatuar se lirimi i Mekaj ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme.

Lexojeni tekstin e publikuar nga Shqip.com për Muharremin: Ekskluzive: “Çka ki te Lumezi fol me mu” – Shkeljet dhe fuqia e Driton Muharremit në sistemin prokurorial të Kosovës.

Klikoni në rubrikën N’shënjestër, për të shikuar të gjitha publikimet në Dosjen “Inteligjenca e Zhvatjes” në mënyrë kronologjike./Shqip.com