Lajme

Osmani takon Cholletin dhe Escobarin në New York, diskutojnë edhe për dialogun Kosovë-Serbi

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është takuar me këshilltarin e Departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Derek Chollet dhe me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Siç njoftohet nga zyra e presidencës thuhet se Osmani me zyrtarët e lartë amerikan ka diskutuar për zhvillimet e fundit në rajon.

Në takim me zyrtarët e lartë amerikanë, Presidentja Osmani ka diskutuar për zhvillimet e fundit në rajon dhe më gjerë si dhe bashkëpunimin e mëtejme për ta avancuar integrimin euroatlantik të Kosovës,  si një parakusht për stabilitet afatgjatë”.


Në këtë takim Osmani ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që i ka ofrua SHBA-ja Kosovës në shumë procese dhe në veçanti në procesin e dialogut.


“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve, dhe në veçanti përkrahjen e SHBA-ve në procesin e dialogut.  Ajo gjithashtu theksoi nevojën për të ecur përpara me procesin e dialogut me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke”.

Ndërsa, presidentja e Kosovës potencoi nevojën që Serbia t’i zbatojë obligimet e saj nga marrëveshja për udhërrëfyesin e energjisë dhe të arrihet sukses sa i përket marrëveshjes për të zhdukurit me dhunë.

Kujtojmë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në drekën tradicionale me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, ka kërkuar përmbylljen emergjente të çështjes së liberalizimit të vizave.

Presidenca përmes një komunikate për media, bën të ditur se Osmani ka ritheksuar se prej katër vjetësh, institucionet e BE-së kanë konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka kërkuar përmbylljen urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave dhe ka potencuar përkushtimin e Kosovës për paqe e stabilitet, për rrugën e saj euroatlantike”, thuhet në njoftim.

Duke qenë se kriza me energjinë elektrike ka prekur edhe Kosovën, shefja e shtetit ka kërkuar ndihmë për tejkalimin e krizës.

“Në takimin e organizuar nga z.Borrell me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani, gjithashtu ka kërkuar mbështetje nga BE-ja për tejkalimin e krizës energjetike këtë dimër”, përundon Presidenca.

Theksojmë se ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë konferencës për shtyp të martën nga Termocentrali Kosova A ka thënë se qeveria është në negociata me Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Bullgarinë për të blerë dhe këmbyer rrymë.

Lexo edhe:

Rizvanolli paralajmëron dimër të vështirë, apelon të kursehet energjia elektrike

Ajo shtoi se dimri këtë vit do të jetë i vështirë dhe apeloi tek qytetarët për të kursyer energjinë elektrike./Shqip.com