Lajme

Osmani në New York kërkon përmbyllje urgjente të liberalizimit të vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani krah krerëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Përfaqësuesit të Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në drekën tradicionale me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, ka kërkuar përmbylljen emergjente të çështjes së liberalizimit të vizave.

Presidenca përmes një komunikate për media, bën të ditur se Osmani ka ritheksuar se prej katër vjetësh, institucionet e BE-së kanë konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka kërkuar përmbylljen urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave dhe ka potencuar përkushtimin e Kosovës për paqe e stabilitet, për rrugën e saj euroatlantike”, thuhet në njoftim.

Duke qenë se kriza me energjinë elektrike ka prekur edhe Kosovën, shefja e shtetit ka kërkuar ndihmë për tejkalimin e krizës.

“Në takimin e organizuar nga z.Borrell me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani, gjithashtu ka kërkuar mbështetje nga BE-ja për tejkalimin e krizës energjetike këtë dimër”, përundon Presidenca.

Theksojmë se ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë konferencës për shtyp të martën nga Termocentrali Kosova A ka thënë se qeveria është në negociata me Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Bullgarinë për të blerë dhe këmbyer rrymë.

Lexo edhe:
Rizvanolli paralajmëron dimër të vështirë, apelon të kursehet energjia elektrike

Ajo shtoi se dimri këtë vit do të jetë i vështirë dhe apeloi tek qytetarët për të kursyer energjinë elektrike./Shqip.com