Lajme

Rizvanolli paralajmëron dimër të vështirë, apelon të kursehet energjia elektrike

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Qeveria e Kosovës është në negociata me Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Bullgarinë për të blerë dhe këmbyer rrymë.

Kështu tha ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë konferencës për shtyp të martën nga Termocentrali Kosova A.

Ajo shtoi se dimri këtë vit do të jetë i vështirë dhe apeloi tek qytetarët për të kursyer energjinë elektrike.

“Kriza sivjet në nivel të Evropës është shumë më e rëndë që ka qenë vitin e kaluar, kjo shkaku i luftës në Ukrainës dhe përdorimit të gazit dhe energjisë si armë nga Putini. Këto e bëjnë në një masë dimrin e paparashikueshëm. Kjo e bën të qartë se dimri do të jetë i vështirë, jo vetëm për ne, por edhe vendet si Gjermania, Britania janë duke u përgatitur për këto reduktime”, u shpreh ajo.

“Është në dorën e secilit prej nesh të bëjmë diçka për këtë, ne si institucione po e bëjmë maksimumin”.

Po ashtu, Rizvanolli bëri të ditur se Qeveria e Kosovës pritet që së shpejti ta zyrtarizojë propozimin për ndalimin e eksportimit të peletit.

“Kemi parë që ka rritje të çmimeve, që nuk arsyetohet në krahasim me koston e prodhimit. Prandaj, në mbledhjen e qeverisë, pritet të merret vendimi që ndalon eksportimin e peletit dhe lëndëve djegëse me bazë druri”, tha ministrja e Ekonomisë.

Blloku A4 rikthehet në punë në tetor, A3 është rikthyer

Më tej, Rizvanolli shtoi se ekipet kanë arritur ta rikthejnë në punë bllokun A3 ndërsa për bllokun A4 pritet të rikthehet në muajin tetor.

“Falënderoj ata që ditë e natë në mënyrë që të kemi furnizim me rrymë në këto ditë të vështira. Ne e kishim planifikuar këtë vizitë qysh nga e premte për ta parë situatën dhe riparimin e bllokut A3, dhe e dëgjuam në mëngjes se ky bllok është riparuar falë punës së ekipës. Çdo megavat orë që prodhojmë është absolut puna më e vlefshme që bëjmë në Kosovë”, tha ajo.

“Siç u informuam se njësia A4 të kthehet në operim në ditët e para të tetorit dhe besojmë se kjo kohë e rikthimit të kthehet më shpejtë, siç ndodhi me rikthimin e bllokut A3. Duhet në maksimum që të kursejmë sa më shumë. Kemi filluar si qeveri me masa detyruese për institucionet publike”, tha ajo.

20 obligimet për institucionet publike për të kursyer energjinë elektrike gjatë sezonit të dimrit

Qeveria e Kosovës më 14 shtator kishte marrë 20 masa në mënyrë për të kursyer energjinë eletrike gjatë peridhës së dimrit.

Pikat që përfshihen në këto masa janë: zëvendësimi i poçeve standarde në LED, të ndalohet ngrohja ku s’ka prezencë fizike e të ndalohet ngrohja e ujit, përveç rasteve kur është e domosdoshme.

Të ndalen pajisjet elektrike në rastet kur nuk do të përdorën më shumë se 10 minuta;

Të ndalohet përdorimi i klimave, veç në raste kur s’ka alternativa tjera;

Të mospërdoret ndriçim në hapësira të brendshme gjatë periudhës kur ka ndriçim të mjaftueshëm;

Të ndalet çdo billboard që ka ndriçim;

Të caktohet një person përgjegjës për kursim të energjisë;

Të ndalohet i gjithë ndriçimi dekorativ;

Të ndalet ndriçimi në hapësirat e monumenteve, janë disa prej masave të tjera./Shqip.com