Mbyllen disa lokale të masazhit

Inspektorati i Tregut ka mbyllur përkohësisht 26 lokale që ushtrojnë veprimtarinë e mirëmbajtjes trupore/sallonet e masazheve, klubet e natës/muzikë live dhe vallëzim.
Mbyllja e tyre ka ardhur pas inspektimit të 66 operatorëve ekonomik nga data 10-14 maj në komunat Prishtinë, Fushë-Kosovë, Gjakovë, Malishevë dhe Rahovec.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka njoftuar se operatorët e mbyllur përkohësisht ka ndodhur për shkak të ushtrimit të veprimtarisë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Tregtinë e Brendshme.
“Ndaj 12 operatorëve ekonomikë janë shqiptuar gjoba ndëshkuese, për shkeljet e konstatuara të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, si dhe bazuar në Kodin Penal të Kosovës ndaj 4 operatorëve ekonomikë janë deponuar kallëzime penale për heqje apo dëmtim të vulës zyrtare”, thuhet në njoftim.
Inspektimet janë realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës/Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ), dhe inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
/Shqip.com