Ekonomi Biznes

Kaq milionë euro u dërguan remitencat gjatë muajit mars

Mbi 112 milionë euro është vlera dërgesave të mërgatës që janë sjell në Republikën e Kosovës për muajin mars 2024.

Kështu thuhet në statistikat e remitancave dhe institucioneve tjera financiare për këtë periudhë, të publikuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), duke shtuar se vlera totale e tyre për tre muaj, sipas vlerësimeve, ka arritur në 284.07 milionë euro.

Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitancave ishin nga institucionet financiare jo-bankare me pjesëmarrje prej 64.46 për qind, pasuar nga kanalet tjera me 23.34 për qind dhe bankat me 15.20 për qind.

Për sa i përket aseteve të kompanive të sigurimit, BQK-ja tregon se deri në këtë muaj vlera e tyre ishte 314.83 milionë euro, duke shënuar rritje prej 2.11 milionë euro krahasuar me shkurtin e 2024-së.

Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.87 miliardë euro, e cila përfaqëson rritje për 74.14 milionë euro.

Në fund, BQK-ja tregon se asetet e ndërmjetësve tjerë financiar në fund të muajit mars 2024 janë rritur për 9.26 milionë euro, duke arritur vlerën e 564.49 milionë eurove.

/Shqip.com