Lajme

Lladrovci: Doarsa do të ishte mirë të vinte në PDK, mëkat që nuk erdhi

Doarsa Kica- Xhelili nga dita e sotme është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mirëpo kjo nuk po i pëlqen aspak, kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Ai përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ka thënë që është mëkat që Doarsa nuk u bë pjesë e PDK-së.

“Rreshtimi kundër shumicës parlamentare është arritje kundër mashtrimit. Adresa më e mirë e saj, për këtë guxim ku forca e bën fuqinë, do të ishte PDK-ja. Dëm që nuk erdhi tek ne”, ka shkruar Lladrovci.

Sipas Lladrovcit, ajo është një grua e fortë që ia përplasi derën partisë në pushtet.

“Gratë e forta në politikë, nuk janë të rralla, por, për fat të keq, bota mashkullore i mbivoton me zhurmë e mashtrime. Mbivotimin e zërit të gruas nuk e kemi lejuar në Drenas. Dëshmi për gruan e fortë në politikë është Doarsa Kica Xhelili e cila ia përplasi derën partisë së shumicës. Politika nxjerr bërllokun në shesh më shpejt se profesionet tjera”, ka shkruar Lladrovci.

Lexo edhe:
Partia “Guxo” me dy kryetarë – deklarohen nga KQZ për procesin

Ndryshe, ajo ishte pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, nga radhët e Listës Guxo.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit ajo ka marrë gjithsej 10.604 vota, duke siguruar ulëse në Kuvend.

Lexo edhe:
Konfirmohet kalimi i Doarsa Kicës në LDK/Abdixhiku: Ardhja e saj për ne është vlerë

Përgjatë kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, Doarsa ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, si dhe anëtare e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër-Korrupsionit./Shqip.com