Lajme

Partia “Guxo” me dy kryetarë – deklarohen nga KQZ për procesin

Lista Guxo

Partia Guxo të mërkurën ka mbajtur kuvendin e saj zgjedhor në të cilin janë zgjedhur dy kryetar të kësaj partie.

Faton Peci dhe Donika Gërvalla u votuan me 373 vota pro, me 23 kundër dhe asnjë abstenim.

Këtë proces e ka mbikëqyrur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të cilët thanë se në mbledhjen e radhës do të paraqesin një raport.

“Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka vëzhguar kuvendin qendror të partisë “Guxo”, i cili është mbajtur më 7 shtator. Sikurse herave të kaluara, nga vëzhgimi i kuvendeve zgjedhore të partive të tjera, kjo Zyrë do të paraqesë në mbledhjen e radhës të KQZ-së një raport lidhur me zhvillimin e kuvendit të partisë Guxo”, tha për SHQIP.com zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ndryshe, para procesit të votimit, Donika Gërvalla ka thënë se kjo parti solli një frymë të re në spektrin politik.

Gërvalla tha se pa guximin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, historia e Kosovës do të dukej ndryshe.

Kurse, Peci tha se do të jenë në skenën politike edhe në procese të tjera zgjedhore.

“Guxo nuk vetmjaftohet me kontributin e 14 shkurtit, ne besojmë që do të jemi në skenën politike edhe në proceset e ardhshme zgjedhore, një armë e fortë dhe e pëlqyeshme si dhe do të jemi kontribuues i vijimësisë”.

Kurse, kryeministri i Kosovës kishte thënë se bashkimi me këtë parti ju kishte sjellur fitoren në zgjedhjet e fundit në Kosovë./Shqip.com