Lajme

Konfirmohet kalimi i Doarsa Kicës në LDK/Abdixhiku: Ardhja e saj për ne është vlerë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe deputetja, Doarsa Kica

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se kësaj partie i është bashkua deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili.

Zyrtarizimi i saj është bërë nga kryetari, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se ardhja e saj në LDK është vlerë.

“Për këtë jemi të lumtur të gjithë. Me Doarsën kemi biseduar gjatë mbi politikën, aktivizmin dhe vizionin e Lidhjes tonë për vendin. Pikëpamjet e saj për Kosovën, për të tashmen e të ardhmen e brezave të këtij vendi – për drejtësinë në veçanti – janë vlera që provojmë t’i shpërfaqim me këmbëngulësi në çdo veprim tonin politik. Kemi folur për LDK-në, idetë tona përpara dhe nevojën e ndërtimit të kësaj rruge së bashku me më të mirët e vendit.

Ky është qëllimi ynë; Doarsa është e tillë, prandaj dhe rrugëtimi ynë i natyrshëm. Ajo ka shumë për t’i dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarësisë sonë e idealeve tona të përbashkëta në rrugën e gjatë që na pret përpara.”, ka shkruar ai.

Doarsa Kica Xhelili

Ndryshe, ajo ishte pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, nga radhët e Listës Guxo.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit ajo ka marrë gjithsej 10.604 vota, duke siguruar ulëse në Kuvend.

Përgjatë kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, Doarsa ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, si dhe anëtare e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër-Korrupsionit.

Siç dihet, Doarsa Kica ishte lavdëruar për punën e saj në Komisionin për Media dhe sidomos për procesin e zgjedhjes së Bordit të RTK’së.

Po ashtu ajo gjatë punës në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka paraqitur rekomandimin për shkarkimin e anëtarëve të KPMSHCK.

Anëtarët e shkarkuar janë Arben Mehmeti, Eshref Shabani, Malsore Gashi, Ardita Haxhnikaj-Demi dhe Jeton Koca.

Shkarkimi i tyre është bërë me 62 vota për, 3 vota kundër dhe 11 abstenimi./SHQIP.com