Lajme

IPK jep detaje: Polici dyshohet se dëmtoi kamerat e sigurisë afër laboratorit të drogës që u shkatërrua në Izvor

Droga e sekuestruar në Izvor të Zveçanit

Inspektorati Policor i Kosovës, ka njoftuar se është arrestuar një zyrtar policor në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës së Veriut, me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Manipulim me prova”.

Siç raporton IPK, zyrtari policor dyshohet se ka dëmtuar disa kamera të sigurisë dhe pajisje të tjera në afërsi të vendit të ngjarjes ku është zhvilluar operacioni antidrogë në veri.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar sot një zyrtar policor në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës së Veriut me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Manipulim me prova”. Inspektorati Policor sot në orët e pasdites përmes rrugëve operative kishte pranuar informacione se ky zyrtar policor dyshohet se ka dëmtuar disa kamera të sigurisë dhe pajisje të tjera në afërsi të vendit të ngjarjes ku është zhvilluar dje operacioni i përbashkët anti-drogë i policisë dhe doganës në fshatin Izvor të Zveçanit”, thuhet në komunikatë.

Zyrtarit policor i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Theksojmë se Dogana e Kosovës, kishte nisur një aksion për bitcoin, mirëpo të njëjtit gjatë aksionit kanë gjetur një laborator droge në fshatin Izvor të Zveçanit.

Lexo edhe:
Burime për Shqip: Dogana në aksionin për bitcoin në Zveçan, gjen laborator të marijuanës

Burimet për Shqip.com kanë treguar se gjatë aksionit ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri dhe i gjithë aksioni ka ndodhur në objektin ku dyshohet se pronar është Sinisha Nedelkoviq.

“Dogana e Kosovës ka filluar një aksion në fshatin Izvor të Zveçanit për bitcon, mirëpo gjatë aksionit kanë përfunduar në gjetjen e një laboratorit të drogës. Gjatë këtij aksionit ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri, mirëpo nuk ka të lënduar”, bëjnë të ditur burimet e Shqip.com.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se në laboratorin e drogës në fshatin Izvor të Zveçanit, janë gjetur mbi 10 mijë fije të marijuanës.

Lexo edhe:
Sveçla për laboratorin e drogës në Zveçan: Janë gjetur mbi 10 mijë fije të marijuanës

Siç njofton Sveçla, droga e cila u sekuestrua kap vlerën e 6 milionë eurove./Shqip.com

Lexo edhe:
Droga e sekuestruar në Izvor kap vlerën e 6 milionë eurove