Lajme

Hoxhaj: I kam paralajmëruar miqtë evropian për rreziqet që sjell rrështimi i Serbisë krah Rusisë

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe njëherësh deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka reaguar lidhur me marrëveshjen e nënshkruar në mes Serbisë dhe Rusisë gjatë të premtes në New York.

Përmes një postimi në Twitter, Hoxhaj ka thënë se për vite me radhë ka paralajmëruar miqtë e tij në Evropë për rreziqet që mund të sjellë rreshtimi i Serbisë përkrah Rusisë.

“Për vite me radhë i kam paralajmëruar miqtë e mi në Evropë për rreziqet ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian nga rreshtimi i Serbisë me Rusinë, në vend të BE-së. Toleranca e Bashkimit Evropian tani ka kostot e saj”, shkroi Hoxhaj.

Tutje, Hoxhaj tha se Serbia mbanë anën e Rusisë për të luftuar Ukrainën dhe Kosovën duke nënshkruar protokolle.

“Serbia po mban anën me Rusinë për të luftuar Ukrainën dhe Kosovën duke nënshkruar protokolle me Kremlinin në mes të luftës. Koha për të vepruar”.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, e ka quajtur skandal të rëndë marrëveshjen Rusi-Serbi.

Ajo tha se hyrja në BE nuk bëhet përmes Moskës.

“Ky është një skandal i rëndë. Në mes të luftës së furishme, Ministria e Jashtme e Serbisë nënshkruan planin e bashkëpunimit të ardhshëm me agresorin rus. Apo ndoshta është vetëm një sinjal për ne që të ngrijmë bisedimet e anëtarësimit pasi hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës”, tha ajo.

Ndryshe edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për këtë marrëveshje, ku ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq mban lidhje shumë të ngushta me federatën ruse.

Ai ka thënë se Vuçiq përveç se nuk e njeh Kosovën, ai nënshkruan edhe marrëveshje bashkëpunimi me Rusinë dhe kjo sipas tij duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike.

Lexo edhe:

Kurti flet për marrëveshjen Serbi-Rusi: Duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore

“Me çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë, ne kemi ministër të mbrojtjes, kemi ministër të punëve të brendshme, por ne jemi qeveri demokratike, progresiste, e shpresës.

Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka thënë se është koha që të sanksionohet Serbia.

Përmes një postimi në Twitter, Mehaj reagoi lidhur me at se Serbia dhe Rusia kanë nënshkruar marrëveshje koordinimi e politikës së jashtme.

“Kandidati kryesor për t’u anëtarësuar në BE” Serbia sapo nënshkroi një marrëveshje për të koordinuar politikën e saj të jashtme me MPJ-në e Rusisë. Për lajme që kërcënojnë sigurinë në rajon dhe më gjerë! Koha për të sanksionuar Serbinë!”, shkroi Mehaj.

Ndërsa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë një shpjegim nga Serbia për atë që u shtyp me Rusinë në Nju Jork, tha ambasadori amerikan Christopher Hill.

“Në këtë moment, askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë, shumë pak të nënshkruajnë asgjë me të. Përveç atyre rekrutëve të varfër që po mobilizohen për të shkuar në luftë”, tha ambasadori amerikan Christopher Hill.

Këto komente ai i bëri në një fjalim para gazetarëve pas forumit rajonal “Qeverisja e mirë dhe politikat kundër korrupsionit në kohë pasigurie gjeopolitike”, raporton mediumi N1.

Kujtojmë se në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq dhe ai i Rusisë, Sergei Lavrov kanë nënshkruar një marrëveshje për të koordinuar politikën e jashtme./SHQIP.com