Lajme

Von Cramon reagon pas nënshkrimit të marrëveshjes Serbi-Rusi: Skandal i rëndë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, e ka quajtur skandal të rëndë marrëveshjen Rusi-Serbi.

Ajo tha se hyrja në BE nuk bëhet përmes Moskës.

“Ky është një skandal i rëndë. Në mes të luftës së furishme, Ministria e Jashtme e Serbisë nënshkruan planin e bashkëpunimit të ardhshëm me agresorin rus. Apo ndoshta është vetëm një sinjal për ne që të ngrijmë bisedimet e anëtarësimit pasi hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës”, tha ajo.

Ndryshe edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për këtë marrëvëshjë, ku ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq mban lidhje shumë të ngushta me federatën ruse.

Ai ka thënë se Vuçiq përveç se nuk e njeh Kosovën, ai nënshkruan edhe marrëveshje bashkëpunimi me Rusinë dhe kjo sipas tij duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike.

Lexo edhe:
Kurti flet për marrëveshjen Serbi-Rusi: Duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore

“Me çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë, ne kemi ministër të mbrojtjes, kemi ministër të punëve të brendshme, por ne jemi qeveri demokratike, progresiste, e shpresës.

Ndërkohë që përballemi me fqinjët verior, që udhëhiqet nga një president i frikës dhe i kërcënimit, që përveç se udhëheq me një shtet në mënyrë jo demokratike dhe nuk e njeh Kosovën dhe krimet të cilat i ka kryer regjimi i Millosheviçit në Kosovë, gjithashtu mban edhe lidhje shumë të ngushta me federatën ruse, siç e pamë edhe së fundi me marrëveshjen e bashkëpunimit që nënshkroi ministri i jashtëm serb me atë rus, që duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike”, tha ai.

Kujtojmë se në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq dhe ai i Rusisë, Sergei Lavrov kanë nënshkruar një marrëveshje për të koordinuar politikën e jashtme./SHQIP.com