Lajme

Kurti flet për marrëveshjen Serbi-Rusi: Duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq mban lidhje shumë të ngushta me federatën ruse.

Ai ka thënë se Vuçiq përveç se nuk e njeh Kosovën, ai nënshkruan edhe marrëveshje bashkëpunimi me Rusinë dhe kjo sipas tij duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike.

Kurti i bëri këto komente derisa ka komentuar deklaratën e Vuçiqit, i cili ka thënë se ka informacione që kryeministri Kurti ka qenë në kërkim të artilerisë me largësi prej më shumë se 10 kilometrash.

“Me çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë, ne kemi ministër të mbrojtjes, kemi ministër të punëve të brendshme, por ne jemi qeveri demokratike, progresiste, e shpresës.

Ndërkohë që përballemi me fqinjët verior, që udhëhiqet nga një president i frikës dhe i kërcënimit, që përveç se udhëheq me një shtet në mënyrë jo demokratike dhe nuk e njeh Kosovën dhe krimet të cilat i ka kryer regjimi i Millosheviçit në Kosovë, gjithashtu mban edhe lidhje shumë të ngushta me federatën ruse, siç e pamë edhe së fundi me marrëveshjen e bashkëpunimit që nënshkroi ministri i jashtëm serb me atë rus, që duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq

Tutjen ai në fjalën e tij para të pranishmëve ka folur edhe për situatën në Kosovë, ku është shprehur se buxheti për vitin 2023 do të ketë rritje prej 15 %.

“Qeveria e Kosovës është në fazën e përgatitjes së buxhetit për vitin fiskal 2023, në këtë buxhet reflektohet një rritje e buxhetit dedikuar nivelit komunal. Për herë të parë kemi rritje prej 15% të buxhetit për komunat në raport me 2022. Do të jenë 654 milionë euro që do tu ndahen komunave. Kjo rritje dot ë duhej të reflektojë edhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale karshi qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Më tutje në fjalën e tij, Kurti është shprehur se duhet të ketë avancim në raportin Qeveri-Komunë.

“Qasja jonë si qeveri është që të jemi afër qytetarëve, edhe duke qenë afër komunave, e për këtë na nevojitet avancim dhe intensifikim i bashkëpunimit”, tha Kurti.

Bashkë me Kurtin janë edhe ministri i Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi, ai i Financave Hekuran Murati dhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli./Shqip.com