Sport Ndërkombëtar

Futbollisti argjentinas “vërshohet” nga ofertat pas paraqitjeve në Botëror

Futbollisti i Kombëtares së Argjentinës, Alexis Mac Allister po përjeton një moment fantastik në karrierë, pasi tashmë është në qendër të merkatos.

Pasi bëri një nisje shumë të mirë kampionatit në Premieligë, mesfushori i Brighton tani po tregon vlerat e tij edhe në Katar, me Argjentinën.

Forma e treguar nga 23-vjeçari deri më tani ka tërhequr vëmendjen e disa skuadrave në kontinentin e vjetër dhe mediet spanjolle bëjnë me dije se për Alexis interesohen disa ekipe dhe jo vetëm në Spanjë.

Fillimisht, bëhet fjalë për Atletico Madrid me trajnerin Diego Simeone, i cili ka shfaqur simpati për mesfushorin dhe pritet që ai dhe klubi të bëjnë përpjekjen e parë në muajin janar gjatë merkatos së dimrit.

Në “ishull”, skuadra më e interesuar për argjentinasin është Tottenham, me Antonio Conten që kërkon të përforcojë repartin e mesfushës dhe Mac Allister i plotëson të gjitha kriteret që kërkon trajneri italian.

Në fund, Serie A. Juventus dhe Inter gjithashtu janë potencialisht në garë për kartonin e Mac Allister, por gjithçka do të varet nga dëshira e mesfushorit, pasi ai tashmë është ambientuar me kampionatin anglez dhe burime pranë lojtarit tregojnë se dëshira e tij mbetet Premierliga.

Alexis u bashkua me Brighton në verën e vitit 2019 dhe deri më tani numëron 86 ndeshje dhe 13 gola, ndërsa në Katar, ai realizoi golin e parë me përfaqësuesen kundër Polonisë në fazën e grupeve, ndërsa së bashku me Argjentinën ai do të luajë në gjysme-finale ndaj Kroacisë, me misionin për të prekur finalen e madhe të këtij edicioni.

/Shqip.com