Sport Ndërkombëtar

Ditë vendimtare për Dani Alves, rrezikon burgun nga 4-12 vjet  

Dani Alves mbahet në paraburgim pa kusht që nga 20 janari, pasi u akuzua për përdhunimin e një vajze 23-vjeçare në një klub natës në Barcelonë natën e 30 dhjetorit.

Seksioni i tretë i Gjykatës së Barcelonës do të prononcohet sot, avokatët kërkojnë lirimin e brazilianit, ndërsa Prokuroria publike dhe private dënimin e tij.

Ish-mbrojtësi i Barcelonës, PSG-së dhe Juventusit ka rrëfyer se ka pasur marrëdhënie seksuale pasi në fillim e kishte mohuar këtë gjë. Një gënjeshtër e thënë për të fshehur tradhtinë nga gruaja e tij dhe për të shpëtuar martesën. Fillimisht kishte siguruar se e njihte viktimën, më pas deklaroi se vetëm e kishte pëlqyer momentalisht në disko dhe në fund fare, ndryshoi komplet versionin duke pranuar se kishte kryer një marrëdhënie konsensuale me të.

“El Periodico” ka publikuar disa detaje nga përdhunimi. Dani Alves ka kaluar 16 minuta në banjën e klubit të natës me vajzën, pas së cilës e kishte injoruar viktimën, e cila qante dhe ngushëllohej nga miqtë dhe stafi i lokalit. Alves rrezikon seriozisht një dënim përfundimtar nga 4 deri në 12 vjet burg.

/Shqip.com