Ekonomi Biznes

Bujqit ankohen për rendimentin e grurit, synohet plotësimi i 70-të për qind të kërkesës

Korrje-shirjet në Obiliq

Grurin ka zënë ta korr.

Por, rendimenti po del të mos jetë i kënaqshëm për bujkun Halim Hashani.

Nga korrja e deritanishme, ai thotë se nuk ka arritur të nxjerr më shumë se 3 mijë kilogram për hektar.

Halim Hashani, bujk nga Obiliqi thotë se lëtë vit rendimenti është i dobët.

“Është i dobët rendimenti shumë. Kanë ndikuar kushtet klimatike,thartësira, mjegulla i ftohti, i dobët është shumë. Nuk besoj se i qet 3 mijë kilogram hektari”.

Vjeshtën e vitit të kaluar ai ka mbjellë vetëm pesë hektarë.

Derisa para 10 vjetësh, kishte mbjellë mbi 30 hektarë me grurë.

Kostoja e lartë e mbjelljes dhe çmimi i shitjes prej 30 cent për kilogram, thotë se e bëjnë varietet të pafavorshëm për kultivim.

“Për me marrë 1 kilogram pleh duhet t’i japim nga 10 deri në 15 kilogramë grurë. Shembull nëse e merr superfosfat 15 kilogram grurë me I shit me marr një kilogram pleh. Nëse e merr kan, 10 kilogram grurë me marr 1 kilogram kan, kështu që nuk mundemi me ia dalë kurrsesi”, tha Hashani.

Në vjeshtën e vitit 2021, 66 mijë e 159 hektarë janë mbjellë me grurë.

Me të filluar korriku edhe një pjesë e madhe e bujqve kanë filluar korrjen.

Përveç rendimentit, ata po ankohen edhe për cilësinë e grurit.

“Ka ankesa nga bujqit, edhe nga cilësia dhe nga sasia. Në bazë të klientëve,  i kemi dikund 4000 mijë vende-vende 4500. Cilësia është mesatare sivjet”, tha Fisnik Selmani, menaxher në mulli.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë nga korrje-shirjet e deritashme, rendiment më të mirë të grurit kanë bërë tokat e Rrafshit të Kosovës në krahasim me ato të Dukagjinit.

Rendimenti pritet të jetë brenda mesatares prej 3.400 deri 4.500 kilogram për hektar.

Bazuar në sipërfaqen e mbjellë dhe rendimentin aktual, pritet të plotësohet rreth 70 për qind e kërkesës për grurë.

“Pa e ditë rendimentin përfundimtar mesatar dhe sasinë e përgjithshme të prodhimit të grurit, është e vështirë të thuhet saktë se sa për qind është kërkesa. Mirëpo nëse kalkulojmë këtë sipërfaqë që është e mbjellur rreth 66 mijë e 150 hektarë dhe me një rendiment mesatar që përafërsisht do të jetë rreth 4000 mijë kilogram, atëherë i bie që nevojat ne do t’i plotësojmë rreth 70 për qind. Mirëpo kjo do të dihet saktë kur të përfundon procesi i korrje-shirjeve”, tha Isuf Cikaqi, drejtor për Politika Zhvillimore në Ministrinë e Bujqësisë.

Në vitin 2019 dhe 2020 është mbjellë më së paku grurë në dhjet vjetët e fundit për shkak të pandemisë.

Rrija e subvencionimit nga Qeveria për grurin dhe kulturat e tjera, nuk ka ndikuar në rritjen e sipërfaqes së mbjellë me grurë pasi gruri veçse ka qenë i mbjellë.

Rezultatet e këtij subvencionimi pritet të japin efekt në vjeshtën e vitit 2022.

Si rezultat, Kosova mbetet vend importues i këtij produkti, pjesën dërrmuese të së cilit e siguron nga Serbia./Shqip.com