Kulturë

81-vjetori i gjuhëtarit të shquar, akademik Gjovalin Shkurtaj

Gjovalin Shkurtaj
Gjovalin Shkurtaj

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët uroi sot, me rastin e 81-vjetorit të lindjes, studiuesin dhe gjuhëtarin, Gjovalin Shkurtaj.

Akad. Shkurtaj lindi në Bajzë të Shkodrës më 4 prill 1943. U diplomua në vitin 1966 për Gjuhë-Letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitet 1967-1989 punoi si punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, sektori i gramatikës dhe i dialektologjisë. Gjatë kësaj periudhe ka dhënë si pedagog i jashtëm lëndën “Kultura e gjuhës” në degën e Dramës e të Regjizurës në Akademinë e Arteve të Bukura. Gjatë viteve 1989-1991 ka patur pozicionin e këshilltarit të kulturës pranë Ambasadës shqiptare në Romë. Në vitin 1991 ishte pedagog në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, titullar i lëndëve: Dialektologji, Sociolinguistikë dhe Gjuhë letrare shqipe. Që nga dhjetori i vitit 1997 deri 1999 ka kryer detyrën e shefit të Departamentit të Gjuhës shqipe, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë.

Gjovalin Shkurtaj

Në vitet 2000- 2002 ka qenë lektor i Gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë. Në periudhën nëntor 2002 deri në janar 2008 ishte shef i Departamentit të Gjuhës shqipe, si dhe titullar dhe autor tekstesh i lëndëve: Dialektologji, Dialektologji e diasporës, Sociolinguistikë (Etnografi e të folurit, Onomastikë dhe Etnolinguistikë).

Në vitin 1982 ka marrë gradën “Doktor i shkencave filologjike”. Më 1995 ka marrë titullin “Profesor”. Në nëntor 2011 është pranuar “Akademik i Asociuar” në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Ka qenë anëtar i disa revistave shkencore dhe ka një fond të pasur me punime shkencore dhe monografi në lëmin e gjuhësisë.

/Shqip.com