Kulturë

Në Shkodër nisi edicioni i gjashtë i “Swing Marathon”

Në Shkodër nisi edicioni i gjashtë i “Swing Marathon”
Në Shkodër nisi edicioni i gjashtë i “Swing Marathon”

Nisi sot në Shkodër edicioni i gjashtë i “Swing Marathon”, organizuar nga Hemingway Fan Club Albania në Ditën Ndërkombëtare të Xhazit.

Lajmi bëhet me dije nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale.

I konceptuar si një aktivitet që të kthen në vitet ’40-50 dhe i shtrirë gjatë gjithë ditë së sotme, “Swing Marathon” filloi në pedonalen e qytetit, ku në 20 stenda artistët e rinj plot art e pasion kishin ekspozuar punimet e tyre.

Pasdite, stacioni i trenit në Shkodër gumëzhiu nga zhurma e trenit me lokomotivën tradicionale, mbi të cilët qytetarë të shumtë, artistë dhe të ftuar u argëtuan me muzikë xhaz dhe fiksuan në foto momentet e bukura të kësaj pasditeje.

Banda frymore e qytetit me muzikën e luajtur i dha ritme e gjallëri aktivitetit. Grupi i motorëve “Vespa” dhe i biçiletave kishin krijuar një vitrinë të veçantë në stacion.

Maratona vijoi me paradën e bandës së qytetit dhe Mefisto Brass, nga stacioni i trenit deri në lagjen “28 Nëntori” dhe Teatrin “Migjeni”.

Në mbrëmje Shkodra u mbush me tingujt xhaz, të luajtura nga DJ të famshëm të huaj, të ftuar nga organizatorët, shoqëruar me performanca nga grupe baleti. /atsh

/Shqip.com