Lajme Botë

Presidenti amerikan bisedon me homologun meksikan për emigrimin

Presidenti amerikan, Joe Biden
Presidenti amerikan, Joe Biden

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka biseduar me homologun e tij meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, lidhur me bashkëpunimin për politikën e emigrimit, teksa lideri amerikan ende nuk ka vendosur nëse do të ndërmarrë ndonjë veprim ekzekutiv për të ulur numrin e emigrantëve që hyjnë në SHBA përmes kufirit jugor të shtetit.

Një grup migrantësh kanë improvizuar tenda përgjatë murit kufitar në anën amerikane të Rio Grandes pasi një gjykatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e mban të pezulluar një ligj të Teksasit, të mbështetur nga republikanët, i cili do t’u mundësonte autoriteteve shtetërore t’i arrestonin dhe t’i ndiqnin penalisht personat e dyshuar për kalim ilegal të kufirit SHBA-Meksikë.

Pas bisedës telefonike, që u zhvillua me kërkesë të Bidenit, përmes një deklarate të përbashkët, dy udhëheqësit thanë se biseduan për përpjekjet e përbashkëta për të “menaxhuar në mënyrë efektive” emigrimin dhe për të “forcuar efikasitetin operacional” në kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës.

Fëmijët emigrantë, në mesin e tyre edhe Vallolet, 4 vjeç nga Peruja, ulen rreth një zjarri pranë bregut të lumit Rio Grande derisa janë duke pritur me familjet e tyre për më shumë se dy ditë për t’u dorëzuar tek autoritetet e imigracionit më 23 mars. 

“Ne bisedojmë në mënyrë periodike. Ai më thërret, unë e thërras”, tha Lopez Obrador gjatë një konference për media të hënën.

Jolimar, një migrante 18-vjeçare nga Venezuela, përpiqet ta mbajë ngrohtë afër vetes djalin e saj dyvjeçar Gail.

Udhëheqësi meksikan tha se të dyja shtetet kanë bërë përparim në kontrollin e emigrimit të pautorizuar, duke i bindur shumë emigrantë që të mos përdorin metoda të paligjshme për të lëvizur nga shteti në shtet. Ai po ashtu mirëpriti vendimin e Gjykatës Supreme amerikane, që u mor në janar. Sipas këtij vendimi, agjentët e kontrollit kufitar mund të heqin telat me gjemba që shteti i Teksasit vendosi përgjatë kufirit, si mënyrë për të penguar emigrantët.

Hendri, 26, një emigrant nga Venezuela, qëndron i mbështjellë me një batanije për t’u mbrojtur nga moti i ftohtë dhe i turbullt, ndërsa kërkon një pikë për t’u futur në SHBA, duke kaluar një gardh të ngritur me tela me gjemba përgjatë bregut të lumit Rio Grande në El Paso, Teksas, SHBA, 25 mars 2024.

Në deklaratën e përbashkët, Biden dhe Lopez Obrador thanë se kanë urdhëruar këshilltarët e tyre të sigurisë kombëtare që “menjëherë” të marrin masa konkrete për të ulur numrin e kalimeve të paligjshme kufitare, megjithëse nuk dhanë më shumë detaje. Por, në deklaratë u tha se kjo politikë do të mbrojë të drejtat e njeriut.

Eliana, 22 vjeçe, një emigrante nga Venezuela, mban vajzën e saj trevjeçare Chrismarlees ndërsa bërtet drejt një ushtari të Gardës Kombëtare të Ushtrisë pasi ai e ndaloi atë ta kalojë gardhin e kufirit më 26 mars 2024. Vajza gjashtëvjeçare e Elianës, Ariana, u transportua përtej gardhit nga emigrantë të tjerë, të cilët kishin përdorur prerëse teli për të çarë gardhin.

Që nga kolapsimi i legjislacionit për kufirin në Kongres më herët gjatë këtij viti, Shtëpia e Bardhë nuk e ka përjashtuar mundësinë që Biden të lëshoi një urdhër ekzekutiv për rregullat e azilit, me qëllim që të ulë numrin e emigrantëve në kufirin jugor të SHBA-së.

Eliana, 22 vjeç, emigrante nga Venezuela, kontrollon telefonin e saj nga bregu i lumit Rio Grande pasi u nda nga vajza e saj gjashtëvjeçare, Ariana, në El Paso, Teksas, SHBA, 26 mars 2024. 

Sipas shifrave të fundit, numri i kalimeve ilegale të kufirit ka rënë, pasi në dhjetorin e vitit të kaluar u arrit rekordi prej 250.000, teksa zyrtarët meksikanë kanë rritur përpjekjet e tyre për të parandaluar emigrimin ilegal. /REL

/Shqip.com