Lajme

ZKA:  Investimi në Dubravë me vlerë 44 mijë e 862€, duhet të përfundonte me 2019 por nuk u përfundua

Një investim në Qendrën Korrektuese në Dubravë që duhej të përfundonte në vitin 2019 nuk u përfundua.

Kjo është bërë e ditur përmes një raporti të auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditorit të Përgjithshëm.

“Sipas kontratës “Renovimi i brendshëm i portës së re në Qendrën Korrektuese në Dubravë” me vlerë 44,862€, punimet është dashur të përfundojnë me 23.09.2021, ndërsa gjatë kohës sa ne ishim në auditim (datë 12.04.2022), projekti kishte përfunduar vetëm 70%” thuhet në njoftimin e ZKA-së.

Po ashtu nga Zyra e Auditorit është bërë e ditur se edhe një investim tjetër në Gjilan që duhej të përfundonte në vitin 2021 por që nuk u kryen me kohë.

“Sipas kontratës “Ndarja e hyrjes për vizitorë në Q.P Gjilan” me vlerë 58,492€, punimet është dashur të përfundojnë më 19.10.2021 dhe gjatë kohës sa ne ishim në auditim ishte marrë vendimi për shkëputje të kontratës dhe tërheqje të sigurimit të ekzekutimit, meqenëse vetëm 30% të punimeve kishin përfunduar” thuhet në njoftimin e ZKA-së.

Sipas raportit të ZKA-së, sipas zyrtarëve vonesat kanë ndodhur për shkak të natyrës specifike të punëve në SHKK, ku kryesisht vetëm furnizimet kontraktohen, ndërsa realizimi i punëve bëhet nga të burgosurit. Vonesat ishin përcjellë edhe nga situata pandemike.

Lidhur më këtë ZKA-ja ka dhënë edhe rekomandimet e tyre.

Nga ZKA-ja thonë se Ministrja në bashkëpunim me SHKK-në duhet të sigurojë se është bërë një analizë gjithëpërfshirëse e projekteve të filluara dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme për të siguruar realizimin e projekteve të ardhshme sipas planit kohor të përcaktuar me kontratë.

Po ashtu është gjetur se nga  rishikimi i Pasqyrave Financiare  të Ministrisë si dhe krahasimi i tyre me shënimet e SIMFK janë identifikuar gabimet si në vijim:

– Tek Neni 18 – Detyrimet kontingjente ishin nënvlerësuar për 71,779€. Kjo kishte ardhur si rezultat i prezantimit të detyrimeve kontingjente vetëm për vitin 2021, por jo edhe ato të vitit 2020.

– Tek Neni 19.3.1 – Pasuria kapitale mbi 1,000€ ishte mbivlerësuar për vlerën prej 73,431€.

Lidhur më këtë ZKA-ja ka thënë se Ministrja duhet të sigurojë se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të siguruar që mangësitë dhe gabimet e tilla të mos përsëriten gjatë përgatitjes së pasqyrave financiare të vitit 2022. Pasqyrat financiare të mos dorëzohen në Thesar-MFPT para se t’i nënshtrohen një rishikimi të detajuar nga ana e menaxhmentit.

Po ashtu ZKAJ-ja në raportin e saj ka gjetur shkelje edhe në lidhje me menaxhimin e pasurisë në Ministrinë e Drejtësisë ku ka identifikuar çështjet si në vijim.

“Në MD, SHKK, Agjencionin për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar dhe Shërbimin Sprovues të Kosovës, komisionet përkatëse kishin bërë inventarizimin e pasurisë për vitin 2021, janë përpiluar raporte gjithëpërfshirëse, mirëpo nuk ishte bërë krahasimi i gjendjes të inventarizuar me gjendjen në regjistrat e pasurive jo financiare dhe raportimi i pasurive në PFV ishte bërë sipas regjistrave kontabël. Komisioni i vlerësimit ishte themeluar vetëm në MD pas hartimit të pasqyrave financiare (datë 25.02.2022) dhe gjatë kohës sa ne ishim në auditim ende nuk e kishin përfunduar detyrën dhe nuk kishin përgatitur ndonjë raport të vlerësimit të pasurisë. Për më tepër, salldo e pasurive kapitale nën 1,000€ ishte mbivlerësuar, pasi që për pasurinë e SHKK-së në vlerë 745,875€ nuk ishte bërë llogaritja e zhvlerësimit të akumuluar nga viti 2019. Kjo kishte ndodhur për shkak të strukturës së shpërndarë organizative dhe për shkak të kontrolleve të brendshme jo adekuate në lidhje me menaxhimin e pasurisë dhe mos funksionimit të sistemit E-pasuria” thuhet në raportin e ZKA-së.

Edhe në lidhje më këtë ZKA-ja ka dhënë rekomandimet e saja./Shqip.com