Lajme

Zbulohet shkaktari i zjarrit në Spitalin e Tetovës ku mbetën të vdekur 14 persona

Foto: Alsat

Prokuroria Themelore Publike e Tetovës publikoi të martën një raport, sipas të cilit, zjarri në spitalin modular në këtë qytet ka shpërthyer nga një kabllo zgjatues.

Zjarri në këtë spital kishte shpërthyer më 8 shtator duke lënë të vdekur 14 persona, ndërsa 12 të tjerë ishin lënduar.

Lexo edhe:
Publikohen pamjet kur shpërthen zjarri në Spitalin e Tetovës

Sipas raportit, në kabllo ishin lidhur defibrilatori, një karikues telefoni celular dhe një pajisje tjetër.

Prokuroria tha se kablloja ishte nxehur dhe kutia lidhëse e kabllos zgjatuese kishte marrë flakë.

Shpërthimi i zjarrit në Spitalin e Tetovës

Prokuroria tha se po vazhdon të hetojë edhe shkaktarët e tjerë të mundshëm dhe shtoi se pas mbledhjes së të gjitha provave verbale dhe materiale, pas shqyrtimit dhe analizimit të tyre, do të merret vendimi për rrjedhën e mëtejshme të procedurës.

Zjarri ndodhi si rezultat i një qarku të shkurtër elektrik, përmes një rezistence të lartë kalimtare në kabllon e lidhjes së një defibrilatori, me të cilin është bërë reanimin i një pacienti në një nga dhomat e spitalit”.

“Nxehja e kabllos shkaktoi ndezjen në kutinë lidhëse të kabllos zgjatuese, në të cilin ishin lidhur defibrilatori, karikuesi i telefonit celular dhe një pajisje tjetër”, ka bërë të ditur prokuroria.

Për shkak të zjarrit në spitalin e Tetovës, ku trajtoheshin pacientë me Coronavirus, dorëheqje dhanë: ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, zëvendësministri Ilir Hasani, si dhe dy drejtorë të spitalit të Tetovës./SHQIP.com