Lajme

25-vjeçarja humb jetën pas zjarrit në hotel “Brooklyn” në Vlorë. Ana Dyrmyshi u dërgua në Turqi për kurimin, por nuk ia doli

Një natë pushimesh në Lungomaren e Vlorës u kthye në tragjedi për Ana Dyrmishin, 25-vjeçaren nga Durrësi, e cila u plagos rëndë nga zjarri që përfshiu hotelin “Brooklyn” më 16 gusht.

Pas 12 ditësh në gjendje kritike, e reja, e cila kishte pësuar djegie në rreth 85% të sipërfaqes së trupit, ka ndërruar jetë.

Pas trajtimit fillestar në Shqipëri, ajo u transferua në Turqi për mjekim të specializuar, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të rënda.

Ana jetonte me familjen në zonën e Shkozetit në Durrës. Vdekja e saj e rëndon edhe më tej bilancin e një ngjarjeje që më 16 gusht nisi si një zjarr në një strukturë akomoduese dhe përfundoi me gjashtë të plagosur dhe tashmë një viktimë.

Si nisi zjarri në orët e para të mëngjesit

Zjarri shpërtheu rreth orës 04:05 të mëngjesit të 16 gushtit, në ambientet e katit të parë të hotelit “Brooklyn”, në lagjen “10 Korriku”, në Lungomaren e Vlorës.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, flakët dyshohet se nisën në ambientet e bar-restorantit dhe më pas u përhapën në pjesën tjetër të godinës. Policia deklaroi se, nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, dyshohet se zjarri ishte aksidental dhe se shkak mund të ketë qenë djegia e prizës së një frigoriferi.

Pra, deri në këtë fazë, versioni i autoriteteve nuk flet për zjarrvënie të qëllimshme, por për një defekt elektrik.

Megjithatë, fakti që shkaku fillestar dyshohet të jetë një defekt elektrik nuk i jep automatikisht përgjigje pyetjes se a ishin respektuar të gjitha masat e sigurisë që duhet të parandalonin përhapjen e zjarrit dhe të garantonin evakuimin e sigurt të personave që flinin në hotel. Megjithatë, kjo mbetet për t’u verifikuar nga ekspertët.

Tymi dhe flakët bllokuan pushuesit

Situata u bë kritike brenda pak minutash.

Sipas dëshmive të personave që ndodheshin në hotel, pushuesit u zgjuan nga era e pazakontë, tymi dhe britmat. Disa prej personave që ndodheshin në katin e dytë u detyruan të hidheshin nga ballkonet apo dritaret për t’u shpëtuar flakëve. Ky veprim u shkaktoi disa prej tyre fraktura dhe dëmtime të tjera.

Sipas shefit të Reanimacionit në Spitalin Rajonal të Vlorës, Edmond Breshanaj, gjashtë persona u paraqitën të dëmtuar, ndërsa disa kishin djegie të rënda dhe dy të tjerë kishin pësuar fraktura pasi ishin hedhur nga kati i dytë.

Nga ngjarja mbetën të plagosur gjashtë persona: Ndorina Rexhepi, 25 vjeç; Arlinda Rexhepi, 27 vjeç; Erza Grainca, 21 vjeç; Aldo Kasimi, 30 vjeç; Ana Dyrmishi, 25 vjeç dhe Luan Saliu, 21 vjeç.

Pesë prej tyre u transportuan për trajtim të specializuar në Tiranë, ndërsa një tjetër mori ndihmë mjekësore në Vlorë.

Por gjendja e Anës ishte veçanërisht e rëndë. Ajo kishte djegie në rreth 85% të trupit dhe u shtrua në gjendje kritike. Më 18 gusht u bë i mundur transferimi i saj në Turqi për trajtim të specializuar. Por pas 12 ditësh luftë me plagët, Ana nuk ia doli.

/Shqip.com