OP-ED Kolumne

Vrasësit e ëndrrave rinore!

Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Këto ditë ka filluar gjykimi i dy kriminelëve që kryen vrasjen mbase më të rëndë të pas luftës, këputën një lule me emrin Marigonë. Emrat e tyre nuk do t’i përmend. Ndjejë neveri.

Është hera e parë që nuk kam guxim të shoh seancat gjyqësore, pavarësisht se ato shfaqen për publikun. Këta dy kriminelë më bënë të më rikthehet ndjenja e urrejtjes, për herë të parë pas luftës.  Një urrejtje të tillë kam ndjerë veç ndaj paramilitarëve të Serbisë në kohën e luftës. Por, dhembja për Marigonën i mbulon të gjitha.

Krejtësisht pavullnetshëm fati ynë u kryqëzua, pa u takuar kurrë. Kjo për shkak të një statusi tim në kohën më të papërshtatshme, gjë që shërbeu si shkak për sulme nga kundërshtarë të pacipë. Njerëz të degjeneruar të cilët më të madhe se dhembjen për Marigonën, e kishin mllefin ndaj shkrimeve të mia.

Sot, nga kjo perspektivë, kur pyes vetën nëse do ta bëja sërish të njëjtin shkrim, përgjigja më del po! Për arsyen e vetme: Nëse nuk do të ishte ai status, rasti i Marigonës mbase nuk do të ishte kaq shpërthyes, do të mund të regjistrohej si një rast më shumë në këtë shoqëri ku jeta e gruas vazhdon të mos çmohet sa e burrit. Ku ende shkrepet me armë kur lind djalë.

Mos të ishte ai status, zhvatësit e fondeve të huaja, të kamufluar në OJQ të ndryshme, nuk do të kishin si t’i arsyetonin mjetet para donatorëve të tyre. Për të tillët pak ka rëndësi jeta e të rejave që kanë shumë ëndrra, e pak fat në këtë vend. Janë vetëm “kufomngrënës” që ushqehen me fatkeqësitë e të tjerëve. Përfitojnë duke vajtuar veç pasi që të ndodhin tragjeditë. Recitojnë nëpër studio televizive tekste të mësuara përmendesh në seminare ku më shumë i rrezitin prapanicat në vende bregdetare sesa që e ushqejnë trurin.

Të tillët janë po aq të rrezikshëm sepse kërkojnë viktima të reja për tu ushqyer nga donatorët. E, më së paku e kanë për qëllim parandalimin e krimit. Të tillët nuk mund ta kuptojnë thirrjen e një prindi drejtuar atyre që janë hutuar pas përditshmërisë rraskapitëse, se “profesioni” i prindit është testi më i rëndë që na përcjellë gjatë tërë jetës. Se në këtë kohë të diversiteteve të theksuara, dallimeve të botëkuptimeve, depresionit kolektiv që çon në zbrazje të Kosovës nga rinia, më të pafajshmit janë brezat e rinj. Ata që nuk ka kush t’ua thotë se nuk ka strehë më të sigurt sesa familja e shëndoshë. Në këtë kohë të materializimit të theksuar që ushqehet me ëndrra rinore, gradualisht zbehet njerëzorja.

Por, sot të gjitha këto kanë pak rëndësi. Kryesorja është që shpirti i Marigonës të gjejë qetësi, e kjo mund të ndodh veç nëse në këtë vend ka drejtësi./Shqip.com